Pse LDK-ja po del të jetë partia më e madhe në Kosovë…

  28 Oct 2017

 

… teksa LVV-ja ka trendin më të madh e më stabil të rritjes dhe PDK-ja ka hyrë në trend të rënies?

CILA ËSHTË partia me mbështetjen më të madhe në Kosovë? Ose, cila është partia më e madhe në Kosovë? Kjo dilemë filloi të shfaqet që në çastet e para të ravijëzimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve komunale, më 22 tetor.

Rikthim i LDK-së si e para, apo rënie e LDK-së? Dështim i LVV-së, apo dyfishim i LVV-së? Ringjallje e PDK-së, apo rënie e PDK-së?

Pastaj, a duhet marrë më shumë për bazë rezultatin e zgjedhjeve lokale, apo atyre parlamentare, në mënyrë që të tregohet mbështetja për partitë?

Besoj se për t’u përgjigjur në të gjitha këto, problemin duhet shikuar në rrafsh më të gjerë, ku përfshihet analizimi i trendeve, situatat e veçanta para zgjedhjeve dhe taktikat e vetë subjekteve politike.

Duke vënë të gjitha këto në peshojë, besoj se sot për sot mund të dëshmohet se është LDK-ja ajo që ka mbështetjen më të madhe të votuesve në Kosovë, LVV-ja ka trendin më të madh dhe më stabil të rritjes, teksa PDK-ja është në trend të rënies.

E QARTË, jo domosdo rezultatet e zgjedhjeve lokale mund të krahasohen me ato të zgjedhjeve qendrore.

Tradicionalisht në Kosovë ka pasur di֛ç më tepër votues në zgjedhjet lokale sesa në ato parlamentare. Besimi më i përhapur se përse ndodh kjo është se në zgjedhjet lokale garojnë përgjithësisht rreth 7.000 kandidatë, kurse në zgjedhjet parlamentare rreth 1.000, kështu që mobilizimi i votuesve është më i madh për shkak se mund të ndikojnë edhe lidhjet shoqërore e familjare me kandidatët për asamble komunale.

Gjithashtu, interesi i qytetarëve për zgjedhjet komunale mund të jetë edhe për faktin se rezultatet e punës së kandidatit/kandidatëve fitues mund të jenë më të prekshme në qytetet dhe fshatrat e tyre, sesa politikat në nivel nacional, të cilat një shtrese mund t’i duken edhe abstrakte.

Mirëpo, nëse flasim për mbështetje qytetare, atëherë më shumë hapësirë për ta deklaruar favorizimin për një parti e japin zgjedhjet lokale sesa ato qendrore.

Në zgjedhjet parlamentare votohet: për subjektin politik dhe kandidatët e subjektit për deputetë.
Në zgjedhjet lokale votohet: për subjektin politik, për kandidatët e subjektit për kryetarë si dhe për kandidatët e subjektit për asamble.
Pra, dy nivele të verifikimit të përkrahjes krahasuar me tri nivele të verifikimit të përkrahjes.

Shto këtu edhe faktin që zakonisht dalin më shumë votues në zgjedhjet lokale, atëherë kjo i bie edhe një mostër më e madhe përfaqësuese e mbështetjes.

STATISTIKAT KRAHASIMTARE në Kosovë në katër ciklet e fundit zgjedhore kanë dhënë këtë renditje:

Zgjedhjet lokale 2013: PDK e para, LDK e dyta, AAK e treta, LVV e katërta.

Zgjedhjet parlamentare 2014: PDK e para, LDK e dyta, LVV e treta, AAK e katërta.

Zgjedhjet parlamentare 2017: LVV e para, pastaj LDK dhe PDK të barabarta me numër deputetësh, AAK e katërta.

Zgjedhjet lokale 2017: LDK e para, PDK e dyta, LVV e treta, AAK e katërta.

Më këtë vështrim i bie se rritja e LVV-së e ka prishur renditjen e partive politike në vend, në të cilën si tri të parat kanë dominuar LDK-ja, PDK-ja dhe AAK-ja.

Ndonëse renditja e tri të parave ka ndryshuar gjatë tri palë zgjedhjeve të fundit, AAK-ja ka mbetur e katërta qëkur atë LVV-ja e ka shtyrë atje.

Në këtë rrafsh më me interes për analizë është rasti i LDK-së dhe i LVV-së.

LDK-ja në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 i ka pasur 184.594 vota ose 25.24%, kurse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 i ka pasur si koalicion LAA 185.884 ose 25.53%.

LVV-ja në të njëjtat zgjedhje më 2014 i ka pasur 99.398 ose 13.59%, kurse në vitin 2017 – 200.135 ose 27.49%.

Kjo i bie se derisa LDK-ja e ndihmuar pak edhe nga dy subjekte të vogla në koalicion ia ka dalë që të ruajë përqindjen e njëjtë, LVV-ja është rritur dyfish.

Në anën tjetër, ndonëse ende nuk janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, parallogaritjet fillestare flasin për një LDK që renditet e para, por me rreth 17 % rënie të votave sa i përket asambleve komunale krahasuar me vitin 2013; kurse LVV-ja del e treta, por me një rritje prej rreth 50 % të votave për asamble krahasuar me vitin 2013 kur renditej e katërta.

Mirëpo, rezultati më kumbues këtu është ai që numëron votat e përgjithshme të kandidatëve për kryetarë të komunave të subjekteve politike.

Kështu, përllogaritjet ende jozyrtare e qesin LDK-në si bindshëm të parën me rreth 225 mijë vota, PDK-në si të dytën me rreth 160 mijë vota, LVV-në si të tretën me rreth 130 mijë.

Më këtë i bie se oferta e përgjithshme e LDK-së me kandidatët për kryetarë dhe asamblistë ua kanë mbushur mendjen plot 225 mijë qytetarëve individualë votues që ta rrumbullakojnë këtë parti në fletëvotim, gjithsej rreth 65 mijë më shumë sesa partinë e dytë, ose 95 mijë më shumë sesa partinë e tretë.

A MUND TË kalkulohet tash bazuar në rezultatet e dy palë zgjedhjeve të fundit se cila parti ka sot mbështetjen më të madhe të votuesve kosovarë. Unë besoj se po, për këto arsye:

Zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit për shumë arsye kanë qenë zgjedhje jotipike.

E para, ato janë mbajtur pas një fushate më të fortë të opozitarizmit të bashkuar që ka parë ndonjë qeveri e pasluftës.

E dyta, për herë të parë kemi pasur koalicione parazgjedhore, ku bashkimi i çasteve të fundit të partive opozitare AAK e NISMA me PDK-në ka bërë që opsioni i vetëm opozitar në ofertën votuese të mbetet LVV-ja.

Pastaj kanë luajtur rol edhe taktizimet e partive politike me emrat në listën e kandidatëve.

Koalicioni PAN ka futur si tre të parët në listë tre kryetarët e partive respektive, por edhe që i ka sjellë kokëçarje me mbetjen e shumë kandidatëve jashtë listës për shkak të fuzionimit të tri partive të mëdha.

LVV-ja ka futur numrin më të madh të kandidatëve nga Prishtina, përfshirë edhe kryetarin e Prishtinës (duke e ditur se ai merr vota më shumë se partia) dhe nënkryetarin, të cilët edhe u renditën në mesin e pesë më të votuarve.

LDK-ja ishte e vetmja që nuk kishte në listë fare kryetarin e partisë (i cili në zgjedhjet e kaluara parlamentare ishte i dyti më i votuari në vend me rreth 121 mijë vota), si dhe nuk e kishte asnjërin nga kryetarët e komunave me të cilët qeveriste (ku po ashtu shumica marrin vota më shumë se partia).

Duke i parë edhe rezultatet e zgjedhjeve të 22 tetorit lindin pyetjet: Si do të dukeshin rezultatet zgjedhore parlamentare nëse partitë e PAN-it do të garonin të ndara dhe si do të performonte LDK-ja nëse do ta kishte në listë edhe kryetarin partiak, por edhe kryetarët e komunave?

Me rezultatin që ka korrur LDK-ja me kandidatët për kryetarë komunash që në rrethin e parë, lehtësisht do të mundë të konkludohej se futja në listë e Gazmend Muhaxherit, Burim Berishës, Imri Ahmetit, Sokol Halitit, Lutfi Hazirit, Agim Veliut, Muharrem Sfarqës etj. do të kontribuonte në rritje të ndjeshme të votave për këtë subjekt. E nëse krahasohet trendi stabil i mbajtur i LDK-së në zgjedhjet lokale dhe parlamentare, krahasuar me oscilimet e partive të tjera, lehtësisht do të mundë ta rendisnin atë edhe si të parën, meqë vetëm 2% e kanë ndarë atë nga LVV-ja.

Pastaj, këtu mund të bëhet edhe analiza se sa kanë ndikuar qëndrimet e LDK-së në çështjet e Asociacionit… dhe demarkacionit, si dhe koalicioni i saj i deriatëhershëm me PDK-në, në përcaktimin e votuesve në zgjedhjet e 11 qershorit (por kjo mund të trajtohet më gjerësisht në ndonjë rast tjetër).

Të gjitha këto pika i bëjnë zgjedhjet e 11 qershorit unike dhe jo shumë tipike për t’u krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve të tjera të deritashme në Kosovë.

Së këndejmi, përgjithësisht, duke marrë parasysh të gjithë këta faktorë dhe kontekste në analizën e rezultateve zgjedhore të katër cikleve të kaluara, mund të konkludohet se sot LDK-ja është partia me mbështetjen më të madhe në Kosovë, LVV-ja ka trendin më të madh dhe më stabil të rritjes dhe PDK-ja është në trend të rënies.

A do të mbetet kështu mbështetja edhe në zgjedhjet e radhës, kurdo që mbahen ato?

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.