Pse Adem Jashari deshi ta sulmonte Rexhep Selimin dhe pse dyshonte në të?
As ambasadori Ramiz Lladrovci, që e nxori në publik një episod të turbullt të përplasjeve në mes Adem Jasharit e Rexhep Selimit, por as vetë deputeti Selimi, nuk pranuan ta sqaronin këtë incident. Megjithatë, dikush tjetër e kishte sqaruar shumë vite më parë. Lexoni në Express pse Adem Jashari deshi ta sulmonte Rexhep Selimin dhe pse dyshonte në të?
Seanca që duhej të ishte solemne për zgjedhjen e Hashim Thaçit President të Kosovës, pos debateve për akuzat e zhvillimet aktuale për shkeljen e Kushtetutës dhe faljen e territorit Malit të Zi, hapi edhe tema të luftës.
Rexhep Selimi, një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK), qe sulmuar nga ambasadori kosovar në Shqipëri, Ramiz Lladrovci pasi që Selimi përmendi familjen e ish-komandantit të UÇK’së, Adem Jashari.
“Miqësinë tuaj me Adem Jasharin e shpëtova unë, për t’i shërbyer qëllimit te luftës, ashtu si shpëtova edhe jetën tuaj pas asaj qe te mos te theme tradhtisë qe i betë Adem Jasharit”, kishte shkruar ambasadori Lladrovci, që do të merrte një reagim shpërfillës nga Selimi.
“Nuk dua të merrem me ushtarët e Hashimit që ai i nxjerr për të më kundërpërgjigjur”, kishte reaguar deputeti Selimi në facebook.
Por, që të gjithë e lanë të pasqaruar këtë incident dhe kështu vazhdon të jetë ende.
Gazeta Express ka provuar gjatë ditës që të marrë një sqarim për këtë incident edhe nga personi që e nxori në publik, ambasadori Ramiz Lladrovci e edhe deputeti i atakuar, Rexhep Selimi.
Por, një person kyç i luftës së UÇK’së, megjithëse tërë kohën aktivist i lëvizjes paqësore të Ibrahim Rugovës, Gani Geci, kishte folur shumë vite më parë për këtë incident.
Në librin e tij “Lufta pa maska”, Geci i ka kushtuar një kapitull të veçantë këtij incidenti, në kapitullin “Pse Adem Jashari dyshonte në Rexhep Selimin?”
Po ashtu në librin e tij përshkruan që acarimi i marrëdhënieve të familjes Jashari me përfaqësuesit e Lëvizjes Popullore të Kosovë (LPK), ku bënte pjesë edhe Rexhep Selimi, por edhe Hashim Thaçi e Kadri Veseli ishte shumë i dukshëm.
Por, si e përshkruan Geci në librin e tij “Lufta pa maska” këtë incident?
Geci e lidh prishjen e marrëdhënieve të Rexhep Selimit me Adem Jasharin fill pas masakrave të regjimit të Sllobodan Milloshevicit në Likoshan e Qirez, por edhe pse nuk i sqaron detajet kryesore pse saktësisht Jashari dyshonte në Selimin, ai jep në përgjithësi një sqarim që Adem Jashari, sipas tij, ka sugjeruar që të mos bëhen sulme rreth Skenderajt për të nxitur reagimin e regjimit të Sllobodan Milloshevicit, diçka që duket nuk ishte respektuar nga njerëzit e LPK’së.
Gani Geci tregon se pas masakrave në Likoshane Qirez ata takohen me Adem Jasharin dhe nisin një dialog që do të acaronte. “Dajë, çka u bë, a shpëtuat? Po ne shpëtuam, Dajë, por aty janë vrarë shtatë a tetë veta. Siç u informuam – i thashë – janë vrarë katër vëllezër në një vend”, shpjegon Geci fillimin e këtij dialogu që do të shpërfaqte përçarjen mes Jasharit e Selimit.
Pastaj ka ardhur Rexhep Selimi dhe ma futi dorën në krahun tjetër, shkruan Geci e thotë se Rexhep Selimi nuk ka folur asgjë me Adem Jasharin. “Rexhepi më tërhoqi nga njëra anë, kurse Ademi nga ana tjetër. Ademi me atë rast iu drejtua Rexhep Selimit: – Hup, se nëse mbetem gjallë prej kësaj lufte, do ta nxjerrë “kapzerin”! Hup! Hup prej këtu!”, shkruan në librin “Lufta pa maska” Gani Geci
Këto fjalë, sipas Gecit, i kanë dëgjuar Sulejman Selimi, Nuredin Lushtaku, Gani Koci, etj. “Nuk ishte kjo hera e parë që shkëmbeheshin llafe të tilla mes Ademit dhe Rexhep Selimit, i cili konsiderohej si krah i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ademi qe zemëruar me ta atëherë, kur në Drenicë pati ardhur Hashim Thaçi, «Gjarpëri» dhe Jakup Nura, e ata s’qenë takuar fare me Adem Jasharin, por kishin shkuar tek «Sandokani» dhe Rexhep Selimi, kishin qëndruar aty gjatë dy-tri ditëve, pastaj qenë kthyer në Zvicër. Ademi me atë rast më ka pasë thënë:- Daj kishte ardhë ai lahperi! Kjo ishte një shprehje origjinale e Ademit. – Kanë ardhur ata, por nuk janë takuar me mua!”, përshkruan ai në libër.
Ky ishte rasti i dytë ku unë mora vesh për thyerjet mes Ademit dhe përkrahësve të Lëvizjes Popullore të Kosovës, në radhët e UÇK-ës, përpos njoftimit të parë nga Hamëz Jashari, thotë Geci dhe pretendon se të gjitha këto kanë ndodhur në Polac, më 1 mars 1998 rreth orës 01.00.
“Në Polac u kuptua nga të gjithë se Adem Jashari dhe Rexhep Selimi nuk qëndronin mirë mes vete, mirëpo të tjerët nuk e dinin shkakun, përpos atyre që i kishin raportet e ngushta me ta. Kishin kaluar mbi gjashtë muaj prej nga kishte filluar thyerja mes tyre dhe këta prej asaj kohe nuk kanë folur më ndër vete”, përfundon Geci këtë rrëfim dhe fillon tregimin e tij për një pritë në të cilën ata kishin rënë shkaku i keqkuptimeve në komunikim. /GazetaExpress/.