Prokuroria pritet t’i nxjerrë shpejt para gjyqit veteranët mashtrues

  11 Nov 2017

Prokuroria e Shtetit ka avancuar me hetimet për t’i zbuluar veteranët mashtrues të UÇK’së. Burime të Express bëjnë të ditur se Prokuroria ka marrë të gjitha dosjet e veteranëve dhe denoncimet publike nga Komisioni i Veteranëve. Për këto hetime s’ka folur askush. Megjithëkëtë, rezultatet e para pritet të dalin shpejt. Gjetjet kryesore të hetimeve çojnë në zbulimin se ish-udhëheqësit kryesorë qëndrojnë prapa falsifikimit të listave. Nga Prokuroria inkurajojnë që kushdo të qa informata rreth kësaj çështjeje të lajmërohen në këtë institucion

Denoncimet publike, listat e rrejshme dhe të gjitha dosjet e veteranëve tashmë ndodhen në Prokurorinë e Shtetit. Burime të Express kanë bërë të ditur se një ekip i prokurorëve po analizon të gjitha dokumentet e falsifikuara dhe shpejt pritet të dalin me rezultate.

Burime të Express kanë treguar prokurorët kanë zbuluar fakte se disa prej veteranëve të rrejshëm të UÇK’së kurrë nuk kanë qenë në luftë, por, gjatë viteve 1995-2000 kanë qenë nëpër vende të ndryshme të BE’së, si punëtorë. Kanë zbuluar se një pjesë e veteranëve mashtrues janë njerëz të afërt me komandantët e UÇK’së në të gjitha rajonet.

“Të gjitha dokumentet e dorëzuara, formularët, denoncimet publike, denoncimet anonime janë pjesë e hetimeve. Dosjet tashmë ndodhen në duart e Prokurorëve dhe shpejt pritet të dalin rezultatet”, kanë thënë burime të Express, të afërta me hetimet.

Nga Prokuroria e Shtetit për këtë çështje inkurajojnë të gjithë ata që janë të gatshëm të dëshmojnë lidhur me ndonjë dyshim për keqpërdorime. E njëjta, nuk mundi të japë përgjigje të specifikuara për Gazetën Express, pasi që ky proces është ende në fazën e hetimeve.

“Prokuroria nuk mund të jap asnjë përgjigje lidhur me pyetjet e tuaja pasi që jemi në fazën e hetimeve. Mirëpo e inkurajojmë secilin që është i gatshëm të dëshmoj, për cilindo qoftë, lidhur me ndonjë dyshim për ndonjë vepër penale, po ashtu, ftojmë të lajmërohen në çdo kohë në Prokurori”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Gazetën Express.

Për këtë çështje, Express ka tri ditë që po mundohet të kontaktojë me kryetarin e Komisionit të Veteranëve, Agim Çekun, por ishte e pamundur. Çeku dimë se u kishte bërë thirrje veteranëve dhe qytetarëve të denoncojnë në Prokurori gjithë ata persona që rrejshëm kanë marrë statusin e veteranit të UÇK’së.

Thirrja e Agim Çekut erdhi pas letrës publike të Kadri Veselit drejtuar shoqatave të dala nga lufta, ku iu bëri thirrje të largojnë falsifikatorët nga listat e veteranëve.

Edhe me anëtarët e tjerë të këtij komisioni Shkumbin Demalijaj, Rrahman Rama dhe Faik Fazliu ishte e pamundur të vihemi në kontakt.

Ndërsa, kryetari i OVL’së së UÇK’së, Hysni Gucati për këtë çështje ka thënë se hetimet nga ana e Prokurorisë kanë nisur që 45 ditë, por për marrjen e dokumentacioneve për hetim nga Prokuroria, Gucati tha se nuk di asgjë.

“Nuk e dimë pse i kanë marrë Prokuroria dosjet, neve s’na kanë lajmëru, nuk jam në ngjarje. Prokuroria e di që i ka fillu hetimet, por nuk e di deri ku kanë mbërri” , tha Gucati.

I pyetur se a ka biseduar me dikë prej Komisionit të Veteranëve, Gucati tha se ata nuk e kanë lajmëruar. Sipas tij, Komisioni i Veteranëve janë të irrituar me OVL’në e UÇK’së.

“Qaq janë të irritum ata me neve, sa që s’kanë kontakt me neve asnjëherë”, shtoi ai.

Pasluftës është raportuar se numri i veteranëve nuk ka shkuar në 20 mijë, ndërsa, kur janë regjistruar kanë dalë më shumë 40 mijë. Kushdo që ka përfituar statusin e veteranit merr një pagë mujore prej 150 eurosh.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.