Prokurori propozon dëshmitarë të rinj kundër Limajt

Në gjykimin e Fatmir Limajt dhe të tjerëve në rastin e njohur si MTPT dëshmitar i radhës ishte Ylber Shamolli, pronar i kompanisë “Eurokos”.

Pas dëshmisë së dëshmitarit Shamolli prokurori Charles Hardaway i propozoi trupit gjykues që si dëshmitarë të radhës të thirrej stafi teknik i kompanisë “Eurokos” me arsyetimin se sipas dëshmisë së dëshmitarit ata ishin përgjegjës për të caktuar çmimet e ofertave të tenderit për mirëmbajtjen verore të rrugëve në rajonin e Gjilanit që rezulton të kenë qenë pothuajse të njëjta me ofertat e kompanisë “TALI”.

Një propozim i tillë u kundërshtua ashpër nga të akuzuarit dhe avokatët, pasi që sipas tyre me anë të kësaj kërkese prokurori po tenton që në këtë shqyrtim gjyqësor të kryejë edhe fazën e hetimeve, e cila është dashur që të kryhej para ngritjes së aktakuzës.

Dëshmitari Shamolli nga prokurori kryesisht u pyet në lidhje me ofertat e tenderit të vitit 2008 për mirëmbajtjen verore të rrugëve në komunën e Gjilanit.

Gjatë gjithë kohës prokurori duke i vënë në dispozicion dëshmitarit një dokument me çmimet e ofertave të parallogarive të kompanisë “Eurokos” dhe kompanisë “TALI”, kërkoi nga dëshmitari që të krahasonte këto çmime.

Gjatë krahasimit të këtyre ofertave nga ana e dëshmitarit u vërtetua se prej 56 pikave të ofertës kompania “Eurokos” në krahasim me kompaninë “TALI” kishin gjithsej 54 pika të njëjta.

I pyetur nga prokurori i çështjes se si e arsyeton këtë fakt, dëshmitari tha se kjo mund të ndodhë pasi që sipas tij të dyja kompanitë e kanë ndjekur të njëjtën logjikë të fitimit.

“Vetëm sot e kuptova, u çudita se si kemi mundur të shkojmë kaq njëjtë, ne e kemi përdorur formulën e njëjtë dhe përqindjen e njëjtë dhe pastaj ka dalë çmimi I njëjtë, ka shkuar e njëjta logjikë e fitimit”, u përgjigj dëshmitari.

Ai madje mohoi që për një gjë të tillë të jenë koordinuar paraprakisht me kompaninë tjetër “TALI”, duke thënë se para disa vitesh kishin bashkëpunuar me këtë kompani dhe kompaninë tjetër “Integral”, duke krijuar kështu së bashku një kompani tjetër të quajtur ETI (Eurokos-Tali-Integral), por që sipas tij pas një kohe ishin shkëputur nga ky bashkëpunim me dy kompanitë e tjera dhe se prej asaj kohe me kompaninë “TALI” kanë mosmarrëveshje të natyrës financiare dhe se vetëm tash pas 10 viteve që prej asaj kohe po e takon pronarin e kësaj kompanie Florim Zukën.

Dëshmitari krejt në fund potencoi se as kompania e tij e as kompania tjetër “TALI” nuk e kanë fituar këtë tender për mirëmbajtjen verore të rrugëve për rajonin e Gjilanit andaj sipas tij krejt këto pyetje janë të pakuptimta.

Por njëjtë nuk mendoi edhe prokurori i çështjes i cili kërkoi nga trupi gjykues që të aprovonte kërkesën e tij që si dëshmitar të ftohej stafi teknik i kompanisë “Eurokos” sepse sipas prokurorit gjatë dëshmisë së tij dëshmitari tha se përgjegjës për vendosjen e çmimeve të ofertave ishin stafi teknik duke përfshirë këtu inxhinierët dhe ekonomistët, andaj sipas tij është e nevojshme që të dëgjohen edhe këta dëshmitarë, të cilët do të mund të dëshmonin se si kanë arritur te ato çmime të cilat janë identike, nga 56 pika të ofertës të jenë gjithsej 54 të njëjta.

Avokati Tahir Rrecaj e kundërshtoi këtë kërkesë pasi që sipas tij prokurori është dashur që këta dëshmitarë t’i marrë në pyetje qysh në fazën e hetimeve e jo tash pas 8 viteve.

Ndaj kësaj kërkese reagoi edhe Fatmir Limaj, i cili tha se po del që për këtë rast për të cilin po gjykohet nuk ka pasur fare hetime paraprake.

“Ku jemi ne, çfarë po ndodh me ne, ku janë të drejtat tona, deri kur kështu? Këto tregojnë se s’ka pasur investigim fare”, tha i pandehuri Limaj.

Po ashtu, Limaj tha se ai nuk kishte të bënte aspak me asnjërën prej të dy kompanive sepse asnjëra prej tyre s’e kishte fituar tenderin andaj atij nuk i intereson se çfarë kanë bërë këto në mes vete.

“Janë dy kompani për të cilat nuk më intereson çfarë kanë bërë për vete. Pse po na mbani neve këtu? Asnjëra prej tyre s’e ka fituar tenderin. Çka di unë se çfarë bëjnë kompanitë në mes vete në fund të fundit” u shpreh Limaj.