Profesorët e UP-së s’do të paguhen më për provime

  01 Oct 2017

Profesorët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, më nuk do të marrin as edhe një cent për mbajtjen e provimeve për lëndët që i ligjërojnë.

Të gjithë profesorëve u është ndaluar shuma prej 0.60 centëve që e merrnin për secilin provim të paraqitur nga studentet e nivelit bachelor. Ndërsa paguheshin më shumë për mbajtjen e provimeve në nivelin master (2.5 euro për secilin provim) dhe doktoraturë (5 euro për secilin provim).

Këto pagesa nuk janë të përfshira në rregulloren e re të UP-së e cila pritet të hyjë në fuqi më 1 tetor.

Mos përfshirja e kësaj pagese i ka prekur më së shumti të ardhurat e profesorëve që ligjërojnë nëpër fakultete që kanë numër të madh të studentëve, si në Ekonomik dhe Juridik.

Rregullorja e re e miratuar nga Këshilli Drejtues përcakton pagesat shtesë për secilin që merr pozitën e Rektorit, Prorektorit, Dekanit, Shefit të Degës etj.

Për herë të parë janë paraparë edhe dënime për gjithë profesorët që nuk mbajnë orët e ligjëratave. Një mungesë e tillë do t’i kushtojë me 50 euro profesorëve dhe me 25 euro asistentëve.

Neni shtatë i kësaj rregulloreje sqaron se personeli akademik nuk do të pranojë më pagesa për orët mësimore të cilat nuk i kanë mbajtur fare. Në nenin shtatë thuhet se personeli akademik i cili pa arsye mungon nga procesi mësimor si mbajtja e provimeve dhe kujdestarisë do të sanksionohet me heqje proporcionale të pagës për profesorë një orë mësimi me 50 euro ndërsa për asistentë një orë mësimi me 25 euro.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.