Privatizimi i AAK’së në Telekom vazhdon: Kryeministri rehaton edhe kunatën pa konkurs
Pozitë shumë të rëndësishme brenda Telekomit, ka marrë muajin e kaluar Vesmira Haxhaj – Haradinaj. Zëvendësdrejtoresha e re e Financave në ndërmarrjen publike, është kunata e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj – gruaja e vëllait të tij, Frashër Haradinaj.
Ka disa javë që ajo është parë në punën e saj të re, por KTV-ja ka mundur të vërtetojë se ajo e ka marrë kontratën nga 22 shkurti, kurse në sistem ka hyrë vetëm brenda kësaj jave.
Ani pse rroga e saj prej rreth 2,200 eurosh, është pak më e vogël se e kunatit-kryeministër dhe e barasvlershme me atë të kunatit tjetër, deputetit Daut Haradinaj, ajo është vënë në këtë pozitë pa u shpallur fare konkurs.
Në qershor të vitit të kaluar, Haradinaj kishte thënë se njerëzit e Aleancës nuk kishin guxuar as të konkurrojnë për vende pune në kohën që kjo parti ishte në opozitë.
Kohavisioni ka dërguar pyetje edhe te Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nëse ai ka përdorur autoritetin e tij për ta punësuar kunatën në Telekom, por Kryeministria nuk ka kthyer përgjigje.
Përgjigje për këtë emërim apo punësim nuk ka dhënë as menaxhmenti i Telekomit, pavarësisht që televizioni ka pritur dy ditë për përgjigje.
Kontakti me Haxhaj-Haradinajn, zëvendësdrejtoreshën e re të Financave, ka qenë i pamundur.
Punësimi i saj e shton listën e gjatë të të punësuarve me nepotizëm, në valën e madhe të punësimeve në Telekom, të nisur nga shkurti i vitit 2018, pak muaj pasi që AAK-ja e mori pushtetin.
Pikërisht pas raportimeve të vazhdueshme të KTV-së, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetimet për këto punësime.
Prokuroria, gjithashtu, ka konfirmuar se tashmë janë marrë dokumentacione nga zyrat e Telekomit, në shërbim të këtyre hetimeve.
Kujtojmë edhe se Metro është duke publikuar artikuj me rastin e punësimeve në Telekomin e Kosovës, dhe në ditët në vazhdim do të publikohen raporte të reja dhe punësime skandaloze.