Pritet arrestimi i Albin Kurtit!

  09 Oct 2017

Nesër do të vazhdojë seanca ndaj katër deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Donika Kadaj- Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, të cilët akuzohen për gazin lotsjellës në Kuvend të hedhur më 16 dhjetor të vitit 2015.

Në seancën e kaluar, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim të Kurtit e Kadaj-Bujupit.

Lëshimi i kësaj urdhërese erdhi si pasojë e mungesës së këtyre dy të akuzuarve, derisa dy të akuzuarit e tjerë, Albulena Haxhiu e Faton Topalli ishin të pranishëm.

Në seancë të ftuar në cilësinë e dëshmitarëve ishin deputetët e koalicionit PAN, Blerta Deliu, Flora Brovina e Bekim Haxhiu, njëkohësisht edhe të dëmtuar në këtë proces gjyqësor.

Prokuroria pretendon se Deliu, Brovina e Haxhiu, kanë pësuar lëndime të lehta trupore nga gazi lotsjellës i aktivizuar në Kuvend nga kolegët e Vetëvendosjes.

Gjyqtari Beqir Kalludra kishte theksuar se të gjithë ishin ftuar në mënyrë të rregullt dhe sipas tij nuk e kanë arsyetuar mungesën.

Kalludra ditën kur lëshoi urdhërarrest për Kurtin, gjobiti edhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin dhe disa deputetë tjerë që nuk erdhën në seancën e 21 prillit të këtij viti, edhe pse sipas Kalludrës ishin ftuar që të dëshmonin.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.