Presidenti Thaçi flet për herë të parë për dështimin e PDK-së, ka një porosi

  30 Nov 2017

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë ekskluzive dhënë për Gazeta NewBorn, ka folur për disa tema të cilat janë diskutuar shumë kohëve të fundit.

Në këtë intervistë Presidenti Thaçi, ka folur për formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe takimet që kishte në SHBA dhe Kanada, çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, liberalizimin e vizave, bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri si dhe për të ardhmën e tij politike.
Më poshtë ua sjellim intervistën e plotë të Presidentit Hashim Thaçi.

Intervistoi: Arbnor BUZHALA

Gazeta NewBorn: z.President , kohës së fundit keni pasur disa takime shumë të rëndësishme me udhëheqësit me të fuqishëm botëror, përfshirë këtu Presidentin amerikan Donald Trump, sekretarin Pence dhe së fundmi edhe lidershipin e Kanadasë. Atje keni folur për çështjen e Kosovës, çka u bisedua për formimin e Ushtrisë së Kosovës, dhe cili ishte disponimi i tyre, kur pritet të bëhet formimi I saj?

Hashim Thaçi: Në tre muajt e fundit kam zhvilluar takime me krerët shtetëror të SHBA-së, Kanadasë, me udhëheqësit e NATO-së dhe partner tjerë strategjik të Kosovës. Transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës ka mbështetje të plotë të partnerëve strategjik të Kosovës. Ne tashmë jemi pajtuar që kjo mundësisht të ndodh përmes ndryshimeve kushtetuese.

Muajin e fundit kemi ndërmarrë shumë nisma që kanë pas për qëllim një përfshirje më të madhe të komunitetit jo shumicë në FSK. Po ashtu jemi duke biseduar me këtë komunitet për të bindur ata të bëhen pjesë e transformimit. Ushtria e Kosovës do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie apo përkatësie religjioze. Ajo do të jetë garantues i ruajtës së paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon. Prandaj, ushtria do të bëhet dhe askush nuk e ka të drejtën e vetos.

Gazeta NewBorn: BE-ja e ka kushtëzuar liberalizimin e vizave me votimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, por kjo gjë po duket e pamundur, kur dihet se kryeministri i vendit dhe subjekti i tij politik, janë kundër votimit të versionit aktual, cili është komenti juaj për këtë çështje dhe si e shihni ju zgjidhjen e këtij kushti, cila do të ishte zgjidhja më e mirë dhe e pranueshme për të gjithë, kur do ta kemi liberalizimin e vizave?

Hashim Thaçi: SHBA-të, BE-ja dhe shtetet anëtare kërkojnë nga Kosova ta përmbyll sa më shpejt çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, marrëveshje kjo tani më që është nënshkruar në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe është ratifikuar nga Mali i Zi. Prandaj, Parlamenti i Kosovës sa më shpejt duhet të ratifikojë këtë marrëveshje dhe t’i hapë rrugë liberalizimit të vizave. Është e pakuptimtë që vendi më proevropian në Evropë të mbetet vendi më i izoluar.

Gazeta NewBorn: Keni themeluar e për shumë vite keni udhëhequr PDK-në, parti kjo e cila për më shumë se 10 vite udhëheqi me vendin, por në zgjedhjet e fundit nuk pati një sukses të madh sa kishte pritur lidershipi aktual i saj, në anën tjetër shumë anëtarë të PDK-së po e kërkojnë rikthimin tuaj në krye të saj, cili është qëndrimi juaj, a do të rikthehi përsëri në krye të PDK-së?

Hashim Thaçi: Unë jam president i Kosovës, i gjithë qytetarëve, pavarësisht orientimit politik, përkatësisë etnike apo fetare. Unë do të kryej të gjitha përgjegjësitë kushtetuese që me takojnë. Jam plotësisht i fokusuar në kryerjen e obligimeve të mia kushtetuese si President i vendit.

Gazeta NewBorn: Çka mendoni për bashkëpunimin me Shqipërinë, dhe cili është mendimi juaj, a do të duhej të ndodhte një bashkim mes Kosovës dhe Shqipërisë, kur e dijmë se një subjekt politik në vend e ka edhe si ide një gjë të tillë?

Hashim Thaçi: Asnjëherë më parë shqiptarët nuk kanë qenë në pozicion më të mirë historik, aktual dhe faktik. Shqipëria është anëtare e organizatës më të fuqishme ushtarake në botë, e NATO-s, derisa Kosova është shtet i lirë dhe sovran. Jemi një komb në dy shtete sovrane, të dy shtetet tona kanë një ëndërr, kanë një qëllim – Integrimin në institucionet euroatlantike.

Me këtë filozofi dhe orientim të qartë nga vlerat demokratike perëndimore, Kosova dhe Shqipëria sot zhvillojnë marrëdhënie të ndërsjella ekonomike, kulturore dhe politike si asnjëherë më parë.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.