Presidenti në hall

  08 Dec 2017

Duke e analizuar me një kujdes të veçantë fjalimin e “pamatur” të presidentit Thaçi, përpara pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, kur serish u shfaq tepër i frustruar, sidomos me Gjykatën Speciale, të cilën vetë ua imponoi deputetëve për ta votuar me çdo kusht, edhe pse të akuzuarit do të jenë ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, analistët politikë konstatojnë se edhe deri më tani ish- lideri i PDK-së paska vrapuar gjithmonë vetëm për të marrë merita personale e të krenohet me arritjet nën qeverisjen e sundimin e tij, por kurrë nuk ka pranuar të japë llogari për dështimet, për degradimin, për kalbjen e shtetit nga korrupsioni dhe krimi, nën atë që lirisht mund ta quajmë jo qeverisje, por sundim nga nëntoka dhe mafio-oligarkët e tij. Është një konstatim i njohësve të rrethanave politike, sipas të cilëve po del që në Kosovën e pasluftës gjithçka ka degraduar nga pasojat e një lidershipi autoritar e sundues, që arriti të fusë gati gjithçka nën kontrollin e tij të vetëm prej sundimtari. Këtë rol, sipas tyre, më së miri e përdori dhe po e përdor akoma Hashim Thaçi, me atë logjikën “përçaj e sundo”, sepse Thaçi, sipas tyre, është një makiavelist i pashoq. Sidoqoftë, analistët politikë konstatojnë se pikërisht tani edhe ndërkombëtarët po e vërejnë, sikurse edhe populli, se presidenti nuk e ka hallin e popullit fare, por ka vetëm dhe vetëm hallin e vet nga frika prej Gjykatës Speciale, prandaj e ka humbur kontrollin dhe sikur po pendohet publikisht për vendimet e dëmshme që i ka pranuar në dëm të shtetit. Një konstatim të tillë e jep edhe analisti Ymret Reshiti. Madje, ai të gjitha dështimet e deritanishme në ndërtimin e një shteti stabil e zhvillimor ia adreson njeriut që ishte në tri mandate në Qeveri të Kosovës, dhe tani në pozitën e presidentit.

Ndërtimi i modelit mafioz

Sipas Reshitit, “fjalimi “hipokrit” i presidentit të Kosovës para Forcave të Sigurisë së Kosovës është sinjal i zhgënjimit të tij ndaj bashkësisë ndërkombëtare, ngase me gjithë kompromiset që i bëri në dëm të Kosovës sipas “hatrit” të miqve ndërkombëtarë, në fund të fundit nuk arriti t’i shpëtojë Gjykatës Speciale . “Hashim Thaçi vetë e krijoi Gjykatën Speciale përmes presionit dhe shantazhit ndaj deputetëve të tij, me shpresën se do t’i shpëtonte kësaj Gjykate. Ishte Hashim Thaçi ai që Ushtrinë (UÇKnë) e shndërroi në trupë joushtarake. Po ky njeri para një viti kushtëzoi me dorëheqje, nëse brenda pak ditëve nuk arrin që FSKnë ta shndërrojë në Ushtri të Kosovës. Premtoi njohjen e Kosovës nga Serbia përmes atyre bisedimeve që vetë i nisi, i udhëhoqi dhe vazhdon që t’i dëshirojë prapë t’i udhëheqë, edhe pse Serbia jo vetëm që nuk e njohu Kosovën, por arriti që t’i bindë dy shtete që e kanë njohur Kosovën,që t’i revokojnë njohjet. Ky njeri arriti që sovranitetin e Kosovës përmes bisedimeve ta ndajë me Serbinë”, u shpreh ai. “Hashim Thaçi gjatë qeverisjes së tij do të mbahet mend si kreator i kapjes së shtetit dhe instalimit të sistemit, qeverisjes në Kosovë të tipit oligarko-mafioz. Falë Hashim Thaçit, sistemit të qeverisjes në Kosovë më së afërmi i përgjigjet modeli i mafisë kolumbiane, të të ashtu quajturave “Kartela të drogës” , si relacion pushtet-mafi. Shkatërroi sistemin arsimor, duke lejuar hapjen pa kontroll të shumë universiteteve private dhe atyre publike anekënd Kosovës. Mbipopulloi universitetet publike duke punësuar stafin akademik nga ” fondi i militantëve të partisë së tij”, të cilët nuk plotë- sonin asnjë kriter minimal. Të njëjtën gjë bëri edhe me pjesën tjetër të arsimit, ku bëri që cilësia e arsimit të bjerë drastikisht, gjë që e dëshmoi edhe vetë ‘PISA’. Në vend se sistemin shëndetësor ta shërojë nga keqmenaxhimet dhe korrupsioni, ai bëri që këto anomali të bëhen sëmundje kronike e këtij sistemi shëndetësor,i cili çdo ditë po i “vret” qytetarët e saj, në vend që t’iu ofron shërim”, tha Reshiti për “Kosova Sot”. Sipas tij, Hashim Thaçi personifikon politikanin, i cili ” vrau “demokracinë e brishtë dhe shtetin e së drejtës përmes misionit parti-shtet, duke bërë në stilin “Pronto” emërimin e njerëzve të “besuar dhe pa merita” nëpër postet kryesore të shtetit, me mision që të ata të punojnë sipas direktivave të tij. “Prandaj, nëpër listat e hartuara të organizatave ndërkombëtare, shteti i Kosovës renditet në vendet e para në botë “ku lulëzon” krimi dhe korrupsioni. Një vend si Kosova, me një proces politik tepër delikat të shtetndërtimit, në vend se të vazhdonte me përkushtim rrugëtimin e tij për ndërkombëtarizimin e subjektivitetit të tij politik dhe bashkimin me familjen e kombeve, udhëheqja e saj në krye me Hashim Thaçin ndoqën rrugën e kundërt. Atë të përfitimit personal dhe grupor përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar, që ka marrë përmasa shqetësuese në rajon dhe botë. Hashim Thaçi ka dëshmuar se është tip egocentrik dhe njeri që nuk mund të kontrollojë ambiciet e tij personale, prandaj është e natyrshme që të mendojë vetëm për veten e tij dhe për asgjë tjetër”, vijoi më tutje ai.

Image
Vendimet me pasoja

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi pohon se krejt gjendja e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së saj, është rezultat i vetë Hashim Thaçit. “Duhet thënë se edhe mënyra dhe forma e shpalljes së pavarësisë, pavarësisht se kush e ka përgatitur, por që u bë nga Hashim Thaçi, është tepër jokorrekte, e cila pavarësi vetëm formalisht ekziston dhe u shpall, se de jure ishte e deformuar dhe tejet josovrane. Pavarësia ishte në aspektin territorial e ndarë dhe e copëtuar. Ishin krijuar shumë komuna serbe që nuk i nënshtroheshin qendrës dhe ishte Veriu që edhe me pavarësi u pavarësua, dhe tash është pjesë juridike e sistemit juridik të shtetit serb. Të vjen shumë rëndë kur shikohet sovraniteti i Kosovës. Është anomali ekzistimi i komunave që do të lidhen me Asociacion, që de jure, është shtet mbi shtet”, theksoi ai. “Është po ashtu Hashimi që hapi diskutimet me palën serbe dhe që vazhdimisht e dërrmoi shtetësinë e Kosovës. Tash, vetëm në letër ka sovranitet dhe integritet territorial. Në Kosovë kemi sisteme juridike të deformuara dhe të pavarura. Një për shqiptarët dhe një tjetër për serbët dhe territoret e tyre”, tha Muhamet Kelmendi në bisedë me “Kosova Sot”. Ai shprehet se edhe Demarkacioni me Malin e Zi në dëm të Kosovës, sikurse edhe Gjykata Speciale që po ashtu është në dëm të shqiptarëve dhe etiketim i luftëtarëve të lirisë, janë produkt i vetë Hashim Thaçit. E, për të gjitha këto gjëra të dëmshme për shtetin, Kelmendi thotë se një ditë presidenti i tanishëm duhet të nxirret në përgjegjësi para drejtësisë së shtetit. “Thaçi e krijoi Gjykatën Speciale, një gjykatë tërësisht antishqiptare dhe e cila, kryesisht drejtohet kundër UÇK-së. Është turp i tij kjo. Jo pse u krijua, aq sa është e dëmshme dhe e pabarabartë me pushtetin okupues serb. Këta kryen gjenocid mbi kombin shqiptar. Dhe, këtë Thaçi e dinte, por e anashkalonte dhe i detyronte deputetët e shantazhuar, të dobët e idioteskë, që ta votojnë ketë gjykatë antishtetërore. Tash, del dhe akuzon. Akuzon BE-në për të gjitha të këqijat që i ka Kosova”, potencoi Kelmendi.

Maskarada mashtruese

Analisti Florim Zeqa këtë shpërthim të presidentit nuk e sheh si shumë të rastit, sepse, sipas tij, edhe më herët ish-kreu i PDK-së dhe ishkryeministër i Kosovës ka pasur sjellje jodiplomatike, ka marrë vendime të gabuara dhe më pastaj ka fajësuar të tjetër për ta mashtruar qytetarin. “Nuk është hera e parë dhe as që do të jetë e fundit, që presidenti Thaçi organizon maskarada mashtruese, duke përdorur FSKnë dhe institucionet e tjera të vendit për mbulimin e dështimeve të tij personale si në qeverisjen e vendit, ashtu edhe në politikën e jashtme. Fjalimi patetik, pa mbulesë dhe plot hipokrizi, krijon përshtypjen e një presidenti në hall, i cili nuk di çfarë kërkon dhe ku dëshiron të arrijë!”, u shpreh ai. “Tendenca e Thaçit për marrjen e meritave personale nuk është ndonjë risi, sikurse që nuk është befasi as ikja nga marrja e përgjegjësisë politike për dështimet 10- vjeçare në qeverisjen e vendit. Papërgjegjësia dhe mosllogaridhënia janë dukuri e të gjithë politikanëve në Kosovën e pasluftës”, vijoi më tej Zeqa. Sipas tij, asnjëri prej politikanëve deri më sot nuk ka pranuar të japë llogari për dështimet, për degradimin dhe kalbjen e shtetit nga korrupsioni dhe krimi i organizuar!

Image
Sjellja e presidentit, vetëvrasje politike

Sipas analistit Hidajet Ahmeti, një sjellje e tillë e presidentit të vendit, nëse vazhdon kështu, nuk do të përfundojë ndryshe veçse me një vetëvrasje politike. “Gjykoj se këto veprime të presidentit Thaçi janë vetëvrasje për shtetin e Kosovës e mbi të gjithë këtë barrë të rëndë duhet ta bartë mbi supet e tij, njeriu i cili ka sjellë Kosovën buzë greminës, si në aspektin social, politik dhe ekonomik, por edhe në raport me politikën e jashtme. Një lojë e tillë, duke improvizuar një strukturë ushtarake për qëllime politike dhe pa koordinim me faktorin ndërkombëtar, është një vepër që nuk duhet admiruar dhe përkrahur”, u shpreh ai. “Shteti i brishtë i Kosovës, e në veçanti qytetarët e saj, nuk kanë nevojë për një veprim të tillë të pamatur dhe të paanalizuar mirë, e mbi të gjitha pa koordinim me faktorin ndërkombëtar. Dinaku Hashim Thaçi, me veprimet e tij makiaveliste, është në dijeni për lojërat e tilla dhe për pengesat që paraqitën gjatë rrugës,por përmes metodave manipulative tenton ta pastrojë personalitetin e tij të rrënuar. Veprimet e tilla me tendenca të caktuara politike, duke shfrytëzuar çdo vakum për përfitime politike, personale dhe përkthimin në vota për ish- subjektin e tij politik nuk i bëjnë nder shtetit, qytetarëve, por as vetë dështakut Hashim Thaçi”, tha për “Kosova Sot” Ahmeti. Ndërsa, analisti Blerim Burjani thotë se për gjithë këto vite që kanë mbetur mbrapa, në procesin e përpjekjeve për ndërtimin e shtetit të Kosovës janë mbledhur shumë tema, për shumë vjet dhe një nga aktorët kryesorë të ballafaqimit me to është presidenti i tanishëm Hashim Thaçi. “Ka pasur telashe dhe sfida dhe ka pasur krekosje se ai si Hashim ka punuar drejt dhe është një hero i pavarësisë dhe natyrisht është edhe bashkëpunues më i sinqertë i faktorit ndërkombëtar. Kjo është pozitive, por këtu diçka po ndodh me Hashimin dhe besnikërinë e tij”, theksoi ai. Sipas Burjanit, presidenti e ka vërejtur se nuk është politika dhe shtetet e tjera në shërbim të Hashimit, por Hashimi është në shërbim të tyre.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.