PRESIDENTI I PARTIZANIT TË BEOGRADIT REAGON ASHPËR NDAJ KOSOVARIT TË SKENDERBEUT

  14 Oct 2017

Presidenti i klubit serb të Partizanit të Beogradit, Milorad Vuçeliq, ka reaguar ndaj deklaratës së mbrojtësit të Skenderbeut të Korçës, Bajram Jashanica, i cili deklaroi dy ditë më parë se dëshiron hakmarrje ndaj Partizanit.

Mbrojtësi i Skenderbeut të Korçës, Bajram Jashanica tha se ka një motiv të veçantë para arritjes së Partizanit të Beogradit në Shqipëri në kuadër të xhiros së tretë të Europa Ligë.

“Kosova edhe sot e kësaj dite vuan pasojat e dhunës dhe të masakrave të shtetit serb, prandaj kjo është një ndeshje e veçantç për mua. Duhet të fitojmë me çfarëdo çmimi”, është shprehur Jashanica për Supersport, të enjtën.

Vuçeliq ka thënë se deklarata e Jashanicës është shqetësuese dhe se nuk është i interesuar që ta promovojë këtë deklaratë të mbrojtësit kosovar.

“Partizani merret ekskluzivisht vetëm me temat e futbollit. Futbolli është vetëm një lojë dhe një konkurrencë sportive. Ne nuk jemi përgjegjës për politikë dhe nuk duam që të marrim pjesë në të. Çdo gjë që kemi për të zgjidhur, ne do të zgjidhim në fushën e futbollit. Për ata që mendojnë ndryshe nuk ka vend. Deklarata të tilla shqetësojnë atmosferën, dhe përhapin atmosferë të keqe, dhe lojtarët tanë s’janë luftëtarë, por atletë. Mbrojtësi i Skënderbeut nuk është i interesuar për këtë dhe ne nuk do ta promovojmë atë”, tha Milorad Vuçeliq për mediumin serb “Alo”.

Partizani i Beogradit është mysafir në Shqipëri më 19 tetor, ndërsa ndeshja luhet në Elbasan Arena.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.