Pos për postin e kryetarit, për çfarë tjetër do të përballen Ahmeti e Abrashi
Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes e Arban Abrashi i Lidhjes Demokratike, do të përballen edhe në një rund tjetër në garën për kryeqytetin, më 19 nëntor.
Por, fituesi duhet të mendojë edhe për sigurimin e shumicës në Kuvendin Komunal, institucion ky, i cili u përball me ngërçe e bllokadë gjatë tërë mandatit që shkoi.
Nga 10 asamblistë sa kishin në mandatin paraprak, sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, ata do të kenë 18 sish në legjislaturën e re.
E, sipas kalkulimeve me rezultatin e deritashëm, LDK-ja do të ketë 15 asamblistë, 3 më pak se në mandatin e kaluar.
Në kuvendin me 51 ulëse, cilësdo nga dy partitë që garojnë në balotazh, pas fitores do t’i duhet ndihma e partive tjera më të vogla për të siguruar shumicën e thjeshtë prej 26 votash për të kontrolluar këtë institucion.
Pjesë e kalkulimeve të tyre mund të jenë PDK-ja që pritet të ketë 5 ose 6 asamblistë, AAK-ja me po aq dhe AKR-ja që pritet të ketë 3 ose 4 syresh.
Në kampet e dy partive që garojnë në balotazh janë të bindur për fitore më 19 nëntor, por thonë se është ende herët për koalicione. Në Vetëvendosje janë të lumtur për, siç thonë, pamundësinë e LDK-së dhe PDK-së për t’i bllokuar në legjislaturën e re. Ndërsa, për ta kontrolluar Kuvendin, në rast fitoreje, nuk përjashtojnë mundësinë e koalicionit me AAK-në e AKR-në përsëri, e po ashtu edhe partitë tjera më të vogla. Në anën tjetër, përderisa shprehet i bindur për triumfin e Arban Abrashit, bashkë-partiaku i tij, Agim Gashi, thotë se LDK-ja nuk ka vija të kuqe për asnjë parti.
Ndërsa, të pavërteta i ka quajtur pretendimet e Vetëvendosjes se Lidhja Demokratike ka qenë bllokuese e Kuvendit Komunal.
I hapur për bashkëpunim pa dhënë ndonjë preferencë ishte deklaruar menjëherë pas publikimit të rezultateve Selim Pacolli i AKR-së.
Preferencat nuk i kanë treguar as ish-partneri tjetër qeverisës i Shpend Ahmetit, AAK -ja, e cila shënoi gati dyfishim të votës për asamble në këto zgjedhje.
As në Partinë Demokratike në kryeqytet nuk kanë dhënë ndonjë preferencë. E monitoruesit e punës së Kuvendit Komunal të Prishtinës e shohin fundin e bllokadës në të, pa marrë parasysh kush udhëheq me ekzekutivin. Sipas Shalës, dallimi i vogël mes dy partive të para përbën situatë të re, e cila mund të krijojë klimë tjetër në këtë institucion.