fbpx

Plani i Pacollit për xhaminë – deklarohet Shpend Ahmeti

  29 Dec 2017

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli insiston në idenë e tij që të transferohet Kampusi i Universitetit të Prishtinës nga zona e qendrës, në një zonë periferike të kryeqytetit.

E në zonën ku momentalisht ndohet Kampusi Universitar, Pacolli thotë se është paraparë ndërtimi i një xhamie. Sipas Pacollit, kjo do të bëhet vetëm atëherë kur të sigurohet hapësira e nevojshme për studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Aty unë e kam paraparë ndërtimin e një faltoreje, e cila është një arkitekturë super moderne dhe është një arkitekturë e cila rrallë kund mund të shihet”, ka thënë Pacolli për televizionin Kohavision.

Por cilido qoftë modeli i xhamisë, këtë ide të Pacollit nuk e mbështet kryetari i komunës Shpend Ahmeti.

“Momentalisht e kemi atë lokacion. Unë kam diskutuar disa herë me Bashkësinë Islame për ta ndërruar atë lokacion, për shkak se mendoj që aty është ngusht”, ka thënë Ahmeti, duke nënkuptuar se projekti i ndërtimit të një qendre islame në Prishtinë veçse është vendosur.