fbpx

Përse u tërhoq deputetja e VV’së kur iu kërkua nga Veseli që ta sqaronte akuzën për Komandant Drinin

  07 Dec 2017

Deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku, gjatë seancës së sotme parlamentare, ka deklaruar se Komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha, i njohur si Komandant Drini, është vrarë me urdhër të Hashim Thaçit dhe me dijeninë e Kadri Veselit.

Në kohën kur ka bërë këtë akuzë të drejtpërdrejtë, Kryeparlamentari Veseli nuk ka qenë në sallë, por me rikthimin e tij në ulësen e kryesuesit ka kërkuar nga Deputetja Millaku që ta përsërisë deklaratën e saj.

“Edhe një herë, a ka mundësi, zonja Millaku, se tash jam prezent, e më është përmendur emri?”, ka thënë Veseli.

Por, Deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku, është tërhequr dhe nuk ka pranuar të flasë më për këtë çështje.

“Si Kryetar i Parlamentit është dashtë me qellu këtu, edhe me e dëgju. Tash edhe një herë nuk e përsëris”, ka deklaruar ajo.

Në replikën e tij me Deputeten Millaku, Deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, ka kërkuar nga ajo që të mos shpifë, por të jetë më e përgjegjshme dhe të flasë me fakte kur akuzon, ndërkaq ka përmendur se vjehrri i saj kishte punuar në UDB.

“Drita Millaku, si reja e Sylë Millakut, unë e di që Sylë Millaku ka fakte dhe ka punuar në organet e UDB-së dhe të Jugosllavisë, duhet me qenë më profesionale. Duhet me pasë fakte që kur thotë për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin se kanë dorë në vrasjen e Komandant Drinit, një ushtarak i respektuar edhe nga Thaçi, edhe nga Veseli, edhe nga të gjithë ushtarët e UÇK-së që kanë qenë në Zonën e Pashtrikut. Kështu që, nëse ka fakte, është mirë që edhe Syla t’i ndihmojë ngapak, ka pasë mundësi që nëse nuk i beson organeve të Kosovës, t’i besojë Serbisë, dhe përmes organeve të Serbisë t’i ndjekë këta persona”, ka thënë Çoçaj.

“Vjehrri im nuk ka punuar asnjëherë në UDB dhe gjithmonë ka qenë kundër tyre. Është fakt që ka punuar në shërbimin e policisë, mirëpo jo në atë grada…”, është kundër.

Kryeparlamentari Veseli, më pas, ka paralajmëruar janarin si muaj kur do të hapen këto tema.

“Prini prej janarit, kemi me ardhë me të mira shumë. S’ka me ikë askush për atë çfarë ka bërë dhe çfarë ka thënë. Veç ka marrë fund koha e ish Serbisë, përgjithmonë”, ka thënë Veseli.

Veseli, po ashtu, është shprehur se të gjithë do të ballafaqohen për të gjitha gjërat.

“Me pasë shqetësim dikush shkon edhe në Prokurori. Unë do të kisha thënë që të shohin brenda vetes. E ka rrejtë dikush, i ka thënë diçka, se me e shiku brenda vetes e gjen më lehtë, e gjen shumë shpejtë”, ka thënë Veseli.