Lidhja Demokratike e Kosovës pretendon se votimi me postë në Istog në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale është proces i pavlefshëm. Për këtë, kjo parti sot ka dërguar ankesë zyrtare në PZAP.
Por, Rregulla Zgjedhore me numër 03/2013, neni 3.5 e thotë të kundërten. Kjo pasi që LDK duhej të bënte ankesë për këto lista para datës përkatëse për kundërshtimin e listave, e që ishte data 12 shtator.
E njëjta listë ishte çertifikuar me vota unanime nga të gjitha partitë. Indeksonline e ka kontaktuar edhe përgjegjësin e AAK-së në KQZ, Binak Vishaj.
Ai ka thënë se kërkesa e LDK-së është e paarsyeshme pasi që sipas tij nëse ka patur lista jovalide, LDK duhej të reagonte gjatë afatit ligjor për shikimin e listave.
“Të gjitha partitë i kemi patur listat në letër dhe në CD. LDK e ka patur mundësinë që të reagonte brenda afatit ligjor, gjë të cilën s’e ka bërë. Të gjitha partitë i kemi votuar ato lista. Poashtu, numërimi i votave ka qenë tejet transparent. Ai është përcjellur live nga Indeksonline dhe partitë i kanë patur në tavolina përfaqësuesit e tyre. Kërkesa e LDK-së është e paarsyeshme” ka thënë Vishaj për Indeksonline.
Në vazhdim mund të shikoni pikat e Rregullës Zgjedhore e cila kundërshton pretendimet e LDK-së se procesi i votimit me postë në Istog duhet anuluar dhe se është proces i manipuluar.