PAS VIZITËS SË PACOLLIT NË TURQI, NIS ARRESTIMI I NË KOSOVË

  28 Oct 2017

Dje është ndaluar nga policia shtetasi turk Ugur Toksoy, një punonjës i Fondacionit Arsimor Atmosfera në Prizren,kurse i njëjti do të dalë sot para gjyqit.

Një seancë gjyqësore është planifikuar për sot në ora 11.00 në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë para gjyqtares Alltena Murseli, ku do të shqyrtohet kërkesa e autoriteteve turke për dëbimin e Toksoy-t në Turqi.

Rastin e arrestimit e ka konfirmuar edhe policia në Prizren. “Në ora 17:30, në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar, është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Turqisë dhe me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë

Njoftimin në emër të familjes Toksoy e ka bërë avokati kosovar Leutrim Syla përmes një emaili ku bëhet thirrje për vëmendje në lidhje me rastin, kurse letra u është drejtuar medieve, shoqatave për të drejtat e njeriut si dhe ambasadave të shteteve të BE-së në Prishtinë.

“Ne shkruajmë për të kërkuar veprime urgjente nga të gjithë pranuesi e kësaj email-i lidhur me ndalimin e z. Ugur Toksoy”, thuhet aty.

Ndryshe, 25 emra të shtetasve turq dyshohet të jenë në listën e dorëzuar kohët e fundit autoriteteve të Kosovës nga qeveria turke.

Arsyet e ndalimit të Toksoyt nuk janë të qarta, megjithatë nga informacioni që Fondacioni “Atmosfera” ka marrë, ai është akuzuar si anëtar i lëvizjes së Gylenit e njohur si “Hizmet”.

Siç dihet, që nga korriku i 2016, autoritetet turke pas grushtshtetit kanë ndaluar mbi 150 mijë persona dhe kanë arrestuar mbi 60 mijë vetë, duke përfshirë më shumë se 200 gazetarë dhe mijëra mësues.

“Duke marrë parasysh klimën e përhapur të frikës dhe shtypjes në Turqi dhe rrezikun real për jetën dhe shëndetin e tij, Fondacioni Arsimor Atmosfera është shumë i shqetësuar për fatin e z. Ugur Toksoy dhe shtetasve të tjerë turq që punojnë për Fondacionin Arsimor Atmosfera në Kosovë”, thuhet në letër.

Sipas letrës, që nga përpjekja e grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016 në Turqi, disidentët politikë, në veçanti simpatizuesit realë apo të perceptuar të lëvizjes Hizmet / Gülen i janë nënshtruar asaj që është përshkruar si s “metoda barbare të torturës”, duke përfshirë dhunën, nxjerrjen e thonjve, “varjen palestineze”, urinë dhe mohimin e trajtimit mjekësor.

“Çdo përpjekje për ta detyruar me forcë për ta zhvendosur z. Ugur Toksoy në Turqi, ose në çdo vend tjetër ku ai përballet me torturë, keqtrajtim dhe rrezik real për jetën e tij, shkelin Kushtetutën e Kosovës dhe detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar që rrjedhin nga neni 22 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj, Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventës kundër Torturës dhe Trajtimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Poshtëruese e Ndëshkimi”, thuhet në letër.

Fondacioni “Atmosfera” përsërit vlerësimin e saj të thellë për asistencën e shpejtë dhe profesionale të dhënë deri më tani për qytetarët turq në rrezik nga ambasadat, aktivistët dhe organizatat e të drejtave të njeriut, përfaqësuesit e medias etj., të cilët kanë dëshmuar të jenë të dobishëm në parandalimin e abuzimit me të drejtat e njeriut.

“Ne kërkojmë me respekt, në përputhje me mandatin tuaj, mbështetjen tuaj gjatë kësaj kohe kritike për zotin Toksoy i cili ndodhet nën rrezikun e dëbimit të menjëhershëm në Turqi. Në mënyrë të veçantë, ne kërkojmë që ju të gjithë të ndihmoni në parandalimin e deportimit të z. Ugur Toksoy në Turqi”, thuhet në letër.

“Duke pasur parasysh se dëbimi i z. Toksoy, i cili pastaj mund të burgoset në mënyrë të paligjshme dhe të bëhet subjekt i torturës dhe keqtrajtimeve të tjera në Turqi, ju bëjmë thirrje me respekt të gjithëve që të ndërmerrni veprime të menjëhershme. Unë besoj fuqishëm se prania juaj dhe monitorimi i këtij procesi do të luajë rolin kryesor në zbatimin e duhur të instrumenteve ndërkombëtare dhe akteve që mbrojnë të drejtat e njeriut në Kosovë dhe më tej”, thuhet në letër.

Ndryshe këtë javë në Turqi ka qëndruar për vizitë zyrtare kryediplomati kosovar Behgjet Pacolli, kurse ndër të tjera Ankaraja zyrtare ka kërkuar nga institucionet e Kosovës mbylljen e bizneseve që financohen nga Guleni duke theksuar se është e papranueshme që në Kosovë të ketë institucione të tilla.

 

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.