Pas mospranimit të rezultateve nga PDK e LDK, Lepaja hedh ‘bombën’ për këto dy parti politike

Njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka komentuar paralajmërimin e LDK-së dhe PDK-së për mos njohje të rezultatit të zgjedhjeve si dhe shqyrtimin e mundësisë për ta dërguar këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese.

Lepaja ka thënë se reagimi i këtyre dy partive sidomos i PDK-së është absurd.

Sipas tij insistim i këtyre partive për ta dërguar këtë çështje në Kushtetuese shpalosë dyshime edhe për përzierje të partive në punët e gjykatave, të cilat me argumente mjaft të dyshimta dënuan aktivistët e Vetëvendosjes.

Ai më tej ka thënë se nuk mendon që Gjykata Kushtetuese mund të arsyetoj rinumërimin e votave.

“Thirrjet absurde për ndalimin e një partie që ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhjet nacionale dhe që fitoi dy qytetet më të mëdha në vend në zgjedhjet lokale, shpalosë dyshime edhe për përzierje të partive në punët e gjykatave, të cilat me argumente mjaft të dyshimta dënuan aktivistët e Vetëvendosjes”, ka deklaruar Lepaja, raporton Gazeta Blic.

“Nuk mendoj se Gjykata Kushtetuese mund të arsyetoj rinumërimin e votave, edhe pse partitë në fjalë nuk kishin ofruar asgjë tjetër përpos dyshimeve të tyre te pambështetura me asgjë konkrete”, është shprehur ai.

“Mendoj se mosnjohja e rezultatit nga një proces të cilësuar nga vet ata si të rregullt, tregon mungesë e një kulture demokratike dhe një prirje që me çdo kusht me qenë fitues, edhe kur ky nuk është vullneti i qetarëve”, tha ai.

Analisti politik shprehet i çuditur se si PDK e LDK e kanë cilësuar gjithë procesin si të rregullt e demokratike e tani po tani me kërkesa të tilla.

“Ç’është e çuditshme se si dy partitë të cilat krejt procesin e kishin cilësuar si pa të meta, demokratik, dhe nuk kishin parashtruar asnjë ankesë, tash, me të madhe po e kontestojnë fitoren e Vetëvendosjes në dy qytetet më të mëdha”, ka thënë ai për Gazeta Blic.

Lepaja në veçanti ka komentuar deklaratat e Partisë Demokratike ndaj Vetëvendosjes të cilat i ka cilësuar më shumë si akuza të sforcuara të cilat tregojnë për pafuqinë e PDK.

“Sidomos reagimi i Partisë Demokratike rezultoi të ishte plot mllef dhe me akuza të sforcuara për terrorizëm dhe korrupsion ndaj Partisë Vetëvendosje, të cilat duken më tepër si rezultat i pafuqisë së tyre politike sesa të kenë çfarëdo kontakti me realitetin”, ka përfunduar ai, raporton Gazeta Blic.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve në Prizren dhe në Prishtinë.

Pas numërimit të votave me kusht dhe të atyre me postë, ku kandidatët e VV-së me një diferencë të vogël arritën që të fitojnë Prishtinën dhe Prizrenin, kanë reaguar PDK e LDK.

Të dyja partitë kanë paralajmëruar mosnjohje të rezultatit, duke paralajmëruar edhe shqyrtimin e mundësisë për ta dërguar këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese.

Ndërsa ka qenë Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila ishte ankuar në Gjykatën Supreme, dhe kjo gjykate kishte rrëzuar vendimin e PZAP-së, duke kërkuar vetëm numërimin e votave me kusht, pas pasur fare nevojë që të shkohet në rinumërimin e tërësishëm të votave.