Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës në Prishtinë i kanë përafruar gjasat për arritjen e marrëveshjes së koaliciont për ta mbështetur Arban Abrashin e LDK-së në balotazhin e 19 nëntorit.
Kështu i kanë thënë “Gazeta Blic” burime brenda këtyre dy subjekteve politike. Sipas të njëjtave burime, finalizimi i marrëveshjes ndërmjet LDK-së dhe AAK-së tanimë është vetëm çështje kohe.
“LDK-ja dhe AAK-ja tashmë i kanë përafruar mundësitë e bashkëpunimit për qeverisjen e Komunës së Prishtinës në mandat katër vjeçar. Marrëveshja pritet të nënshkruhet brenda një kohe të shkurtër”, kanë deklaruar burimet brenda LDK-së dhe AAK-së.
Në zgjedhjet e 22 tetorit, kandidati i LDK-së Arban Abrashi ka arritur të marrë 35,89 për qind të votave, kështu duke u renditur pas kundërkandidatit të tij nga radhët e VV-së Shpend Ahmeti, i cili ka marrë 43,32 për qind të votave.
Gjatë ditës së sotme, VV-ja në Prishtinë ka nënshkruar koalicion parazgjedhor me AKR-në.