Pas deklaratës së Lutfi Hazirit për ngritjen e mocionit ndaj Qeverisë Haradinaj, analisti i njohur ka një përgjigje interesante

  02 Dec 2017

Njohësi i çështjeve politike, Krenar Shala ka komentuar ftesën e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri ndaj VV për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Shala ka thënë se LDK dhe VV duhej ta parandalonin formimin e koalicionit PAN qysh në fillim.

“Mendoj që LDK dhe VV do të duhej ta parandalonin që në fillim krijimin e koalicionit, por për shkak të interesave partiake sidomos të LDK-se, koalicioni PAN e formoi qeverinë”, ka deklaruar Shala për Gazeta Blic.

Sipas tij kjo qeveri do të duhej qëndronte të paktën një vit në pushtet.

“Se këndejmi, duke e pasur parasysh që zgjedhjet u kryen në qershor, do të duhej të paktën të qëndroj kjo qeveri në pushtet një vit”, tha ai.

Tutje Shala ka thënë se qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet e herëpashershme, andaj një mocion tani për tani nuk është i nevojshëm.

“Mos të harrojmë që edhe pse mocioni për rrëzimin e qeverisë është plotësisht demokratik dhe kjo qeveri nuk do të duhej të qeveriste, duhet ta kemi parasysh që qytetarët nuk mund të durojnë zgjedhje të shpeshta. Qytetarët janë më shumë të interesuar për zhvillim ekonomik, sundim të ligjit dhe demokratizim institucional dhe shoqëror”, është shprehur ai.

Ndryshe, mbrëmë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në një debat televiziv tha se pas 100 ditëshit të qeverisjes Haradinaj, opozita do të ngris mocion për rrëzimin e kësaj qeverie.

Haziri në të njëjtën kohë i ka bërë thirrje Vetëvendosjes që të përkrahin LDK-në në këtë aspekt dhe të rrëzohet Qeveria Haradinaj.

Ndërsa, deputetja e Vetëvendosjes Shqipe Pantina në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka thënë se si grup parlamentar Vetëvendosje nuk ka diskutuar ende për këtë çështje.

“Çështjen e mocionit nuk e kemi diskutuar në grup parlamentar”, ka thënë ajo.

Ajo më tej ka thënë se nuk e ka dëgjuar deklarimin e Hazirit, por VV nuk merr vendim për një mocion bazuar në thirrjen e individëve jashtë Vetëvendosjes.

Sipas saj Vetëvendosje nuk ngrit një mocion mosbesimi pa i analizuar mirë punët e qeverisë.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.