fbpx
Parashikimi/ Hashim Thaçi, Baton Haxhiu e Veton Surroi në Listën e Zezë të SHBA-së?

Parashikimi/ Hashim Thaçi, Baton Haxhiu e Veton Surroi në Listën e Zezë të SHBA-së?

  09 Jan 2022

Qarri: Thaçi dhe politikanë tjerë nga Kosova kanë bashkëpunuar me bandat kriminale në veri të Kosovës
Ditë më parë, Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi për zgjerimin e sanksioneve për vepra korruptive, në të cilat është përfshirë anëtari serb i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.

E pas vendosjes së sanksioneve ndaj Dodikut, ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka paralajmëruar se në Listën e zezë të Amerikës do të përfshihen edhe politikanë nga Kosova.

Sipas tij, ka indikacione se edhe politikanë të Kosovës që kanë penguar procese në momente të caktuara do të përfshihen në Listën e zezë në të ardhmen.

“Po, absolutisht do të ketë. Mund të jetë një listë, e cila do të ketë individë që në njëfarë mënyre apo tjetër kanë penguar procese në momente të caktuara dhe tani është vështirë të dihet se kush mund të futet në atë listë, por ka indikacione që do të jenë njerëz nga politika”, ka thënë ish ambasadori Avni Spahiu.

E për këtë paralajmërim të Spahiut dhe sanksionet e ardhshme amerikane, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri.

“Përpjekjet në rritje të Departamentit të Shtetit Amerikan, për uljen e tensioneve si dhe shtendosjen e gjendjes së acaruar, sidomos në Bosnje e Hercegovinë, po shihen si një mesazh i fortë që Shtetet e Bashkuara ua dërgojnë personave të inkriminuar, organizatave dhe shteteve, që po tentojnë, jo vetëm ta pengojnë zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkan siç vepron Aleksandër Vuçiq në Kosovë dhe Mal të Zi, por edhe të qojnë në gjakderdhje të reja, siç po provon në vijimësi Millorad Dodik me aventurat e tij për ndryshimin e konfiguracioneve shtetërore dhe kushtetuese të njësive të pavarësuara dhe të shpallura, para më tepër se një çerek shekulli, shtete më vete, duke filluar nga Bosnja e Hercegovina”, thotë Qarri.

Sipas tij, Hashim Thaçi dhe politikanë tjerë nga Kosova kanë bashkëpunuar me bandat kriminale në veri të Kosovës, të cilat SHBA i ka futur në Listën e Zezë.

“Për aq më tepër, duke pasur parasysh faktin se politikbërësit e kriminalizuar të Kosovës si Hashim Thaçi me shokë, në vijimësi kanë kooketuar me strukturat paralele të Serbisë dhe bandat kriminale serbe të Aleksandër Vuçiqit, në veri të Kosovës, të cilat SHBA, i ka shpallur organizata kriminale, që është dëshmuar se kanë bashkëpunuar edhe me politikan dhe udhëheqës të lartë të vendit tonë, ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, me të drejtë ka paralajmëruar se në “Listën e zezë” të Amerikës do të përfshihen edhe politikanët e inkriminuar kosovarë. Madje në një intervistë të dhënë nga Spahiu, ai shprehet se ka indikacione që edhe politikanë të Kosovës të cilët “kanë penguar proceset në momente të caktuara” do të përfshihen në “Listën e zezë”, e cila tani pritet të përditësohet”, shprehet analisti Qarri për “Bota sot”.

Deklarata e ish ambasadori Spahiu, sipas Qarrit është alarm për politikanët e inkriminuar në Kosovë.

“Ndaj ky nuk është vetëm një paralajmërim i thjeshtë nga ana e ish ambasadorit tonë në SHBA, por më tepër është një alarm për vet politikanët e inkriminuar të Kosovës, të cilët jo vetëm në Veri, por nga veriu e deri në jug të Kosovës, kanë bashkëvepruar me kriminelët për dëmtimin e vendit tonë, siç po dëshmohet këto ditë edhe me rastin e Brezovicës. Dhe përveçse kanë bashkëpunuar me persona dhe organizata kriminale serbe, ata edhe kanë ndërtuar kundërligjshëm, e për aq më keq u janë nënshtruar edhe ligjeve të Serbisë, duke aplikuar sipas ligjeve serbe, te strukturat paralele, për shkatërrimin e zonave të veçanta natyrore dhe ndërtim të egër, në hapësira të mbrojtura me ligjet e Kosovës, si parku kombëtar në Brezovicë”, shton Qarri.

Për fund, ai ka treguar edhe me emra, personat që sipas tij duhet të futen në Listën e Zezë të SHBA-së.

“Kështu që, paralajmërimi amerikan për politikanët e kriminalizuar, nuk duhet të mbetet vetëm në letër, por në “Listën e Zezë” të SHBA-ve, duhet medoemos të futen të gjithë ata politikan dhe biznesmenë shqipfolës, të cilët kanë shkel ligjet e vendit të vet, kanë bashkëpunuar me kriminelët serb të veriut dhe ata të pjesës jugore, për përfitime personale dhe shkatërrimin e shtetit të Kosovës, që nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa deri te Baton Haxhiu e pse jo edhe Veton Surroi me shokë, për shkeljen me vetëdije të ligjeve të vendit dhe veprimet e dëshmuara kriminale kundër shtetit të Kosovës, për të cilat nga i pari deri tek i fundit, duhet të marrin dënimin e merituar”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri.