Pak para balotazhit,Fatmir Limaj i ka disa fjale per vendin qe njihet si bastion i Nismes!

  14 Nov 2017

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se për katër vite të qeverisjes me Malishevën kanë rikthyer mendimin e lirë te qytetarët, e sidomos tek ata që janë të punësuar në këtë komunë.

Në tubimin zgjedhor me banorët e Carrallukës së Malishevës, Limaj tha se Nisma për Kosovën ka sjellë në Malishevë një qeverisje për qytetarët, që nuk i ndan ata nga bindja politike apo partiake. Po ashtu, Limaj tha se ia kanë ofruar Malishevës një qeverisje, e cila investon në çdo vend.

Limaj: Ragipi ka ndërtuar shtëpi për familjet në nevojë

“Në këto tri vite e kemi rikthyer mendimin e lirë, njerëzit me u shpreh si duan, sidomos për ata që janë të punësuar. Për këto katër vite nuk jepen më darka për mësues, nuk jepen më darka për punëtorët shëndetësor për t’iu marrë votën. Besoj që keni dëgjuar që për katër vite kryetari i komunës nuk i ka thirrur mësuesit me iu qit ndonjë darkë. Shko e shpenzo buxhet për të fituar një votë më tepër. Në vend që Ragipi me i thirrur mësuesit dhe ajo thirr me zor, sikur qysh janë thirrur mësuesit tanë me zor, po darka me zor nuk shkon hiq. Ragipi ka zgjedh një rrugë tjetër dhe ka ndërtuar shtëpia, ka ndihmuar familje që kanë pasur nevojë”, tha Limaj.

Lideri i Nismës, tha se Malisheva iu ka thënë jo atyre që nuk kanë punuar në të mirë të kësaj komune.

Limaj: Ata që shkojnë bëjnë pazare në Prishtinë, nuk kanë vend në Malishevë

“Ata që shkojnë bëjnë pazare në Prishtinë qysh me kap edhe një herë Malishevën, me plaçkit këtu e me shkuar me ndërtuar në Prishtinë, Malisheva iu ka treguar në 2013 se nuk keni vend më”, tha ai.

Ndërsa, kryetari aktual dhe pretendenti edhe për një mandat me Malishevën, Ragip Begaj, tha se për katër vite është munduar të jetë zëri i qytetarëve të kësaj komunë dhe se këtë do ta vazhdojë ta bëjë edhe gjatë mandatit të ardhshëm.

Begaj: Për katër ishin 400 projekte në Komunën e Malishevës

“Për katër vite 400 projekte në Komunën e Malishevës, për katër vite 15 shkolla, investime në rrjetin kanalizimit, kemi shtruar asfalt, trotuare, disa shtëpi të ndërtuara, ndihmë njerëzve të sëmurë, ndihmë njerëzve me dializë jemi kujdesur për ta rregullisht, ndihmë atyre që kanë qenë në regjim shtrati dhe nuk kanë pasur mundësi ju kemi dërguar shërbimet tek shtëpitë e tyre. Kjo është ajo që kam qenë në shërbim tuajin”, tha ai.

Begaj përmendi që për katër vite në komunën e Malishevës nuk ka pasur asnjë vdekje nga rriqrat. E për këtë ai tha se ka arritur ta largojë një të keqe të madhe. Ndërkaq për t’i dhënë mbështetje kandidatit të Nismës ishte edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani.

Hasani: Begaj do të fitojë

“Nuk kemi dyshim që kryetari Begaj ka me fituar, por po besojmë që do të fitoj thellë. Ndoshta vetëm e kemi munduar për raundin e dytë, por unë besoj që do të shënojë fitore të thellë në Malishevë. Natyrisht, punën që e ka bërë deri më tani po ia kanë lakmi edhe kandidatët për kryetar të komunave të tjera. Ju e patë debatin për Prishtinën si e morën shembull që i vetmi kryetar që i ka bërë 15 shkolla në komunën e Malishevës pa asnjë ndihmë të nivelit qendror”, tha Hasani.

Kandidati i Nismës për kryetar të Malishevës, Ragip Begaj në balotazhin e së dielës do të ketë përballë kandidatin e PDK-së, Mursel Gashin.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.