Pacolli tregon se çfarë bëri Serbia për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka folur sot para Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme edhe rreth çështjes së tërheqjes së Kosovës nga aplikimi për anëtarësim në UNESCO.

Pacolli ka thënë se Serbia ka zhvilluar një fushatë të egër për të penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë të madhe ndërkombëtare, shkruan arbresh.info.

Ai ka deklaruar se shteti fqinj ka vizituar 60 shtete të botës dhe ka marrë obligime të ndryshme ndaj tyre në mënyrë që ata të mos e votojnë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Kanë vizituar mbi 60 shtete për të lobuar kundër Kosovës dhe kanë marrë obligime ndaj këtyre shteteve. Kanë dhënë bursa për studentë, diku kanë marrë studentë për t’i aftësuar në Beograd, diku kanë dhënë ndihma humanitare. Shpresoj shumë që prej vitit të ardhshëm do të përgatitemi dhe të filloj punën e lobimit për UNESCO”, ka sqaruar Pacolli.

Sipas tij, nga viti i ardhshëm do të bëhen përgatitje për aplikim të Kosovës në vititn 2019.

Pacolli ka thënë se ishin bërë të gjitha përgatitjet për aplikim mirëpo në momentet e fundit kryeministri Haradinaj është tërhequr për shkak se këtë ia kishin këshilluar miqtë ndërkombëtar.

“Ne u përgatitem që të aplikojmë praktikisht dhe në momentin e fundit vendimi vjen nga kryesuesi i Qeverisë që të mos aplikojmë. Ishte një lehtësim për ne për arsye se në çdo takim që ka pasur ka pasur një hezitim që ne të shkojmë pas një vakumi institucional që patëm. Jo që u tërhoqëm, por ne këtë synim e spostuam për vitin 2019. Mendimi i miqve tanë është që ne kemi bërë mirë, për arsye se nga qarqet diplomatike pritet shumë që viti 2018 të jetë Viti për ne me rëndësi kur pritet edhe përmbyllja e procesit te dialogut me Serbinë me një kontratë. Sigurisht me fjalë të tjera, në këtë kontratë do të jenë edhe pikat kyqe që partneri ynë të mos pengoj integrimin e Kosovës edhe në këtë apo atë organizatë”, është shprehur ai.