OVL-të të manipuluara nga Thaçi e Veseli – dikur ua mbyllën gojën, tash i nxisin kundër Speciales
Disa muaj pas ndryshimit të qëndrimit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi ndaj Gjykatës Speciale, që shumë shpejt pritet të nis hetimet për krime lufte, është iniciuar edhe një nismë për mbledhjen e nënshkrimeve nga Organizatat e Dala nga Lufta (OVL), për plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar.
Këto organizata, pas më shumë se dy viteve nga aprovimi i amendamenteve kushtetuese, që hapën rrugën për themelimin e Gjykatës Speciale, kanë ngritur zërin fuqishëm kundër Speciales, duke e quajtur diskriminuese dhe fyese ndaj Kosovës.
Periskopi ka kontaktuar Petrit Zogajn, për të diskutuar lidhur me nënshkrimin e këtij peticioni, që synon ndryshimin e këtij ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës.Zogaj konsideron se OVL-ja është e manipuluar nga vetë presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i PDK-së, njëherit kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.Petrit Zogaj Sipas tij, sikurse që e kanë manipuluar heshtjen e këtyre organizatave në vitin 2015 kur është aprovuar misioni i Speciales në Kosovës, edhe tash e manipulojnë ngritjen e zërit, sepse, sipas tij, vetë Thaçi tashmë ka ndërruar qëndrim në raport me këtë gjykatë.“Unë besoj se OVL-ja ose organizatat e dala nga lufta, ashtu siç kanë qenë të orkestruara dhe të manipuluara në vitin 2015, ose edhe pak më herët kur është diskutu Gjykata Speciale përpara votimit, të cilat kanë qenë totalisht në heshtje ose me reagime pasive, me të njëjtën logjikë besoj se funksionojnë sot. Në atë kohë është kontrollu komplet reagimi i tyre nga një pjesë e pushtetit – e kur them nga një pjesë e pushtetit e kam mendjen vetëm tek Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe te një strukturë e ngushtë e këtyre njerëzve rreth Qeverisë. Pra, në atë kohë, zoti Thaçi dhe zoti Veseli e kanë mirëmbajtë gjithë reagimin e OVL-ve kundër gjykatës”, tha Zogaj.Zogaj thotë se Thaçi e kishte parë aprovimin e Speciales si koncesion ndaj disa marrëveshjev përmes të cilave do të mund të përfitojë Kosova, siç është themelimi i ushtrisë, liberalizimi i vizave e integrimi në organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Për këtë arsye, sipas tij, Thaçi do ta mund të ketë ndërruar qëndrim.“Nuk kishin gjë kundërshtuese në atë kohë dhe besoj se e njëjta logjikë funksionin edhe tash, vetëm se zoti Thaçi ka ndryshuar komplet retorikën e tij ndaj Gjykatës Speciale. Kemi për pasojë edhe iniciativën e ndryshimit të ligjit të kësaj gjykate, ndoshta të misionit, jo në tanësi por forma se qysh kish me funksionu. Pra njerëzit që në vitin 2015 e kanë zvogëlu reagimin kundër, sot janë duke e rritur këtë reagim dhe ndoshta mund të jenë të suksesshëm në një variant që ligji të shkojë dhe të amandamentohet eventualisht. Pra, ndikim politik ka pasur. E përse ka ndodhur ky ndryshim, opinioni publik, përfshirë mua, nuk është se e ka të qartë, por që zoti Thaçi në një prej adresimeve të tij më kritike në raport me gjykatën, ka qenë pak-a-shumë, se ne e pranojmë gjykatën si koncesion ndaj disa proceseve që në Kosovë do duhej të ndodhin. Ai e ka përmendë ushtrinë, liberalizimin e vizave, e disa procese tjera. Zoti Thaçi ka thënë haptazi mendimin e tij që ka pranuar një gjykatë që e ka quajtur të padrejtë, vetëm se ka menduar se do të kemi ushtri, liberalizim vizash, procese tjera integruese dhe e ka pranu si koncesion”, tha Zogaj.Kosova rrezikon të rrëshqasë në një pozicion të palakmueshëm, thotë ai, ku perceptohet si një shtet që dëshiron t’i strehojë kriminelët potencial.“Tash nuk i kemi këto por besoj se rrezikojmë të rrëshqasim në një teren ndërkombëtar, e i cili do të mund të formulej pak-a-shumë kështu: Kosova një shtet që ka ardhur si pasojë e intervenimit ndërkombëtar, para dy viteve është zotu që do t’i ndjekë penalisht krimet e luftës, që kanë ndodhur nga njëra prej palëve – në këtë rast prej palës shqiptare – para dy viteve është dakorduar ta bëj një gjë të tillë, ndërsa tash po e saboton këtë gjë. Në kuptimin ndërkombëtar kjo gjë do të shihej sikur ne po provojmë t’i mbrojmë “kriminelët”, pra njerëzit që kanë kryer krime. Si shtet pra, jo si shoqëri, kuptohet se ne po provojmë t’i strehojmë kriminelët potencial dhe të mos i gjykojmë. Siç ka qenë problem aprovimi i gjykatës në vitin 2015, do të jetë po ashtu problem zvogëlimi i mandatit të saj ose misionit të saj”, tha Zogaj.Vetë Zogaj beson se Presidenti Thaçi mund të jetë në bankën e të akuzuarve, kur Gjykata Speciale të nis punën. Kjo bindje bazohet mbi pretendimet e Raportit të Dick Martyt, i cili Thaçin e lidhë në mënyrë të drejtpërdrejt me krime monstruoze të kryera gjatë luftës në Kosovës.Mbi këtë Raport është parë e nevojshme edhe krijimi i një gjykate ndërkombëtare, siç është Gjykata Speciale, me seli në Hagë të Holandës. Zogaj thotë se kjo nismë e orkestruar nga Thaçi, eventualisht mund të ndikojë për ndonjë koncesion në nivelin e njerëzve që mund të ndiqen nga Specialja.“Ne e dimë pak-a-shumë që raporti i Dick Martyt, si pasojë e të cilit tash kemi gjykatën, zotin Thaçi e ka në target, pra në fokusin kryesor. Do të ishte juridikisht, politikisht e pakuptueshme që raporti i Dick Martyt e adresonte zotin Thaçi si problem në atë kohë dhe si njeri që mund të jetë i dyshuar, ndërkohë që gjykata që është krijuar pikërisht nga ky raport, të mos merret me zotin Thaçi. Sidoqoftë, në secilin variant, s’do të mund të ketë ndonjë lloj kompromisi që sabotimi apo zvogëlimi i mandatit do ta anashkalonte zotin Thaçi si njërin prej njerëzve që do duhej të hetohej. Unë mendoj se mund ta kemi presidentin që mund të jetë në bankën e të akuzuarve, për shkak se raporti dhe gjykata është krijuar për këtë grup njerëzish, pra për ish-udhëheqjen e UÇK-së. E ish-udhëheqja e UÇK-së ka emra dhe mbiemra dhe e dimë kush kanë qenë. Janë deklaruar të gjithë dhe kanë treguar se kanë pasur shtab dhe të gjithë e dimë se çfarë përbërje ka pasur Shtabi i Përgjithshëm UÇK-së. Se sa do ta sabotojë zoti Thaçi përmes kësaj iniciative, a do ta shpëtojë veten, unë kam problem ta besoj një gjë të tillë edhe pse ndoshta kjo lloj drejtësie, do të ishte drejtësi e një kompromisi që mund të vinte për nivelin e njerëzve që do të arrestoheshin dhe do të gjykoheshin në Gjykatën Speciale, megjithëse nuk jam i sigurt për këtë”, tha ai.Jo më larg se dje, OVL e UÇK-së, dorëzoi në Kuvend 15 mijë nënshkrimet e mbledhura të peticionit. Hysni Gucati e Nasim Haradinajn thanë se presin nga deputetët që të përmirësojnë gabimet e bërë në vitin 2015, duke e rishikuar dhe plotësuar ligjin për Gjykatën Speciale.