fbpx

Njoftohen gjithë udhëtarët: Kujdes me këto kompani, po mashtrojnë me bileta

  18 Dec 2017

Qindra qytetarë kanë pritur të shtunën në Aeroportin e Prishtinës më shumë se 11 orë pasi që kompania ajrore “Orange 2Fly” nuk ka realizuar fluturimet ashtu siç ka qenë e paraparë me orar. Në vend të kësaj kompanie rreth orës 23:00 fluturimet i ka realizuar po ashtu një kompani tjetër e panjohur, “Ballkan Holidays” e ku në vend të zbritjes në Aeroportin e Dyseldorfit udhëtarët janë dërguar në Aeroportin e Kelnit në Gjermani

Festat e fundvitit kanë rikthyer në operim kompanitë mashtruese, të cilat po ua marrin paratë qytetarëve dhe nuk po u ofrojnë shërbime.
Ashtu sikurse në vitet e kaluara, edhe sivjet në fillim të muajit dhjetor pronarë të këtyre kompanive, përmes mesazheve telefonike të dërguar nga numra të panjohur prej Dubait, Amerikës e Afrikës, por edhe shteteve të ndryshme sovjetike, po joshin bashkatdhetarët tanë, duke u ofruar oferta udhëtimi për në Kosovë me çmime qesharake, por në realitet një numër shumë i vogël i tyre mund t’i shfrytëzojë ofertat e këtyre, pasi që shumica e tyre që kanë blerë bileta avioni në këtë formë kanë rënë viktimë e një grupi kriminal, që në vazhdimësi po plaçkit bashkatdhetarët tanë. “Aviokompania ‘Orange 2Fly’ ka realizuar fluturime për turoperatorët ‘Reiseburo Prishtina’, ‘My Sky’, ‘Sky Express’ e ‘Air Munich”. Këta turoperatorë nuk është hera e parë që kanë lënë qytetarët në aeroport, ku duke përdorur edhe aviokompani të tjera kanë mashtruar shumë qytetarë”, ka thënë burimi i gazetës.
Ai më tutje ka bërë të ditur se më 16 dhjetor kompania “Orange 2Fly” është dashur të fluturojë nga Prishtina për në Dyseldorf në orën 12:20, mirëpo udhëtarët kanë fluturuar me një kompani tjetër të panjohur në orën 23:00 dhe atë për në Aeroportin e Kelnit e ku qytetarët në këto temperatura të ftohta është dashur nga ora 09:00 deri në orën 23:00 të presin në Aeroport. Po ashtu edhe fluturimi tjetër, që është dashur të realizohet nga Dyseldorfi për në Prishtinë në orën 15:55, është realizuar me një ditë vonesë, edhe atë nga Kelni në orën 5:00 të mëngjesit.

Valentina Gara, zyrtare për informim në Aeroportin e Prishtinës ‘Adem Jashari” ka treguar për Express se vonesa e fluturimit për në Gjermani ka ndodhur për shkaqe teknike të avionit.“Po, mund të konfirmoj se kjo vonesë ka ndodhur. Por, kjo nuk është bërë për shkak të Aeroportit ‘Adem Jashari’, por për shkak se avioni që është dashur të fluturoj ka pasur disa probleme teknike”, ka thënë ajo. Gara ka treguar se pasagjerët për informata konkrete duhet t’i drejtohen kompanisë “Reisebüro PRISHTINA”. Po ashtu të shtunën në Aeroporti i Prishtinës ka ardhur edhe aviokompania tjetër “Electra Airways”, kompani kjo e cila është duke vazhduar rrugën e aviokompanisë tashmë të falimentuar “Bul Air”, e cila po ashtu ka dëmtuar qytetarët, duke mos u ofruar shërbimin që ata e kanë paguar.

Lekaj: Qytetari do të jetë i mbrojtur 100%

Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, thotë të jetë i njoftuar se deri më tash një numër i madh i qytetarëve kanë rënë viktimë e kompanive mashtruese, të cilat ua kanë marrë paratë dhe nuk u kanë ofruar shërbime.

Ai thotë se prej momentit të marrjes së detyrës së ministrit ka punuar në këtë drejtim, që qytetari të jetë i mbrojtur 100% nga kompanitë mashtruese. “Unë deri më tash kam zhvilluar dy taksime me drejtorin e Zyrës së Aviacionit Civil. Shumë shpejt do të nxjerrim rregullore, por nëse është e nevojshme do ta ndryshojmë edhe ligjin, që vetëm e vetëm qytetari i Kosovës të jetë i mbrojtur nga kompanitë mashtruese”, ka thënë Lekaj ditë më parë për gazetën “Zëri”. Sipas tij, ndryshimet në këtë drejtim do të jenë shumë të shpejta. “Ne nuk do të lejojmë që qytetarët e Kosovës të mashtrohen”, ka thënë më tutje ai.

Shatri: Dukuria e mashtrimit, traditë e fundvitit

Haki Shatri, këshilltar për Ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, thotë se dukuria e mashtrimeve me aviobileta tashmë është bërë si traditë në fundvit.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është duke punuar që t’i mbrojë qytetarët prej individëve apo edhe kompanive që po ua marrin paratë qytetarëve dhe nuk po u ofrojnë shërbime. “Janë disa kompani fantome, që përmes numrave të huaj bëjnë shumë oferta për qytetarë e që një pjesë e tyre joshën nga to dhe mashtrohen. Po edhe qytetarët duhet të jenë shumë më të kujdesshëm që para se t’i japin paratë ta shikojnë se cila është kompania”, ka thënë Shatri për gazetën “Zëri”.

Ai më tutje ka bërë të ditur se në këtë rast kemi të bëjmë me mashtrim, me krim ekonomik, por edhe me shmangie të taksave. “Gjatë javës së kaluar kryeministri Kosovës ka takuar të gjithë inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës dhe ka kërkuar nga ta që të kenë angazhim më të madh në luftimin e krimit ekonomik e të korrupsionit”, ka thënë më tutje Shatri.

MASHTRIMET:

Rasti “Kosova Jet Express”

Shumë qytetarë të Kosovës, të cilët kanë jetuar në Zvicër, gjatë vitit që lamë pas kanë rënë viktimë e kompanisë “Kosova Jet Express”. Shumë qytetarë është dashur të presin më orë, madje deri në dy ditë në Aeroport për të fluturuar, por nuk kanë mundur, kështu që ata janë detyruar t’i blejnë edhe një herë biletat për t’u kthyer në vendet ku ata jetojnë e punojnë.

Rasti “Dardania Airways”

Kompania “Dardania Airways” gjatë muajit qershor vitit 2016 dyshohet se kishte mashtruar rreth pesëmijë bashkatdhetarë. Kah fundi i muajit maj të vitit që lamë pas pronari i kësaj agjencie për ta pasur më të lehtë mashtrimin kishte afruar afër vetes edhe bashkëpunëtorë. E gjithë shitja e biletave duke mashtruar ka ndodhur brenda një periudhe 3-javore, për aq kohë sa edhe ka qëndruar “Dardania Airways” në sistemin e “webkos.de”. Në mashtrim të bashkatdhetarëve ndihmë agjencisë “Dardania Airways” i ka ofruar edhe pronari i touroperatorit “Alba Air”. E për të qenë sa më efektiv në operacionin që kishin filluar, pronari i “Alba Air”-it kishe lëshuar në shfrytëzim “Call center”-in e tij, që ka në zyrat e “Alba Air”-it në qendër të Prishtinës.

“Belle Air” mashtroi 26 mijë pasagjerë

Mashtrimet më të mëdha me bileta aeroplani i ka bërë aviokompania “Belle Air”. Vetëm në vendin tonë më shumë se 26 mijë qytetarë janë viktimë e kësaj kompanie. Dyshohet se në mashtrim ishin të përfshira edhe touroperatorë si “Select Fly”, “Air Munich”, “Reisebüro Prishtina”. I gjithë ky organizim ishte bërë me ndihmën e “Select FLY”. “Belle Air” në fund të nëntorit të vitit 2013 kishte shpallur falimentimin.

“Airbuchurest” la në aeroport 4600 pasagjerë

Po atë vit, 2013, rreth 2800 udhëtarë kishin mbetur pa udhëtuar në destinacionet e tyre, pasi aviokompanitë “Airbuchurest”, “Adria Airways” dhe “Air Dolomiti” nuk kishin realizuar fluturimet, për të cilat kishin shitur bileta. Në ndihmë për të mashtruar këtyre aviokompanive u kishte ardhur “Airwings” dhe “Reisebüro Prishtina”. Biletat nga këto aviokompani ishin shitur nga Dyseldorfi, Shtutgardi e Baseli.

Kthimi i pasagjerëve nuk ishte realizuar pasi aviokompania “Airwings” kishte mbyllur zyrat për shkak të presionit të pasagjerëve. “Airbuchurest”, një kompani nga Rumania me pronar të nacionalitetit turk, së bashku me kompaninë “Levingstone” nga Italia dhe “Adria Airways” nga Sllovenia kishin operuar gjatë kohës shtator dhe gusht 2012, duke realizuar fluturime nga Dyseldorfi, Stutgarti e Baseli.

Një vit më herët në rrugë kishin mbetur po ashtu rreth 1800 udhëtarë, kësaj radhe nga aviokompanitë “Airbuchurest” dhe “Mistral”. Pjesë e këtyre mashtrimeve ishin edhe touroperatorët “Airwings”, “Eurowings” dhe “Reisebüro Prishtina”. Gjatë vitit 2011 ishin organizuar fluturimet gjatë muajit gusht dhe shtator, ku destinacioni ishte nga Dyseldorfi, Stutgarti e Baseli drejt Prishtinës në bashkëpunim me kompaninë “Eurowings”.

Rasti “Vallahia Air”

Në vitin 2013 mashtrime me bileta kishte bërë edhe “Vallahia Air”, duke lënë rrugëve rreth 400 pasagjerë. Organizator i kësaj kompanie ishte “Flywings”. Në këto mashtrime kontributin e tyre e kishin dhënë edhe institucionet e Kosovës, pasi që në atë kohë licencuan aviokompani mbrapa të cilave po qëndrojnë persona mashtrues.

“Livingston” mashtroi 1700 pasagjerë

Për këta mashtrues ishin në dijeni edhe institucionet e Kosovës, pasi që vite më parë mashtruan udhëtarët përmes aviokompanisë italiane “Livingston”, duke përfituar rreth një milion euro. Edhe viti 2012 nuk kishte kaluar pa mashtrime, pasi në skenë kishin dalë kompanitë si “Airbuchurest”, “Levingstone”, “Adria Airways”, të cilat kishin lënë në rrugë rreth 1700 pasagjerë. Në ndihmë këtyre aviokompanive për mashtrim u kishin dalë këta touroperatorë: “Airwings”, “Uskana”, “Reisebüro Prishtina” dhe “Eurowings”.

“Mistral” la në rrugë 2000 udhëtarë

Aviokompania “Mistral” i kishte lënë në rrugë rreth 2000 udhëtarë në vitin 2010. Në ndihmë i kishin ardhur touroperatorët “Airwings” dhe “Reisebüro Prishtina”.

“Pron Air” la në rrugë 3500 pasagjerë

Mashtrimi i madh i udhëtarëve kishte ndodhur edhe në vitin 2009 nga aviokompania spanjolle “Pron Air”, të cilët kishin lënë në rrugë rreth 3500 pasagjerë. Në ndihmë për mashtrim të bashkatdhetarëve me bileta të aeroplanit ishin përfshirë “Air Dardania”, “Munich Airlines” dhe “Air Kosova”.

Rasti “Aurora Airlines”

Edhe vitin kur ishte shpallur pavarësia e Kosovës, më 2008-n, udhëtarë në rrugë kishte lënë edhe kompania ajrore “Aurora Airlines”. Rreth 4500 pasagjerë kishin mbetur pa udhëtuar drejt destiancioneve të caktuara, pasi ishin anuluar fluturimet. “Aurora Airlines” ka qenë kompani me orgjinë nga Sllovenia. Në ndihmë për mashtrim kësaj aviokompanie i kishin ardhur “Airkosova” dhe “Munich Airlines”, të cilat kishin shitur biletat në destinacionet nga Gjermania: Stuttgart, Hannover, Dysseldorf, Mynhen dhe kanë sjellë udhëtarët në Aeroportin e Prishtinës, ku kthimi i tyre nuk ishte realizuar.

“Bardha Travel” la në det VIP-at

Në listën e aviokompanive mashtrueseve hyn edhe “Bardha Travel”, e cila kishte lënë nëpër oborre të hoteleve në Turqi disa zyrtarë të lartë të shtetit. Në atë kohë kompania në fjalë kishte joshur VIP-at kosovarë me oferta joshëse me çmime të ulëta, por në fund të gjithë ata që kishin fluturuar me këtë kompani kanë mbetur në rrugë, duke u detyruar që edhe një herë ta paguajnë aranzhmanin te ndonjë kompani tjetër.

Rasti “Tafa Air” dhe “Illyrian”

Po ashtu edhe “Tafa Air” dhe Illyrian” hyjnë ne listën e kompanive mashtruese, të cilat u kanë marrë paratë kryesisht bashkatdhetarëve dhe nuk ua kanë kryer shërbimet. Në vitin 2009 në prag të ndërrimit të motmoteve “Tafa Air” kishte lënë në Aeroport duke pritur me orë e ditë të tëra mijëra pasagjerë dhe në fund e kishte shpallur falimentimin, praktikë kjo e ndjekur nga rrjeti kriminal i mashtruesve me aviobileta. Po ashtu njëjtë si kjo kishte vepruar edhe kompania “Illyrian”, ku fillimin e operimit të saj në atë kohë e kishte inauguruar ish-ministri i Financave, Ahmet Shala. Madje si për çudi në atë kohë Shala kishe fluturuar drejt Shqipërisë me kompaninë e njëjtë edhe pse ajo nuk kishte pasur leje për operim në vendin tonë