Nga sakrifica e një prindi, deri te fama si boksier – Wilder, njeriu që bëri gjithçka për vajzën me aftësi të veçanta (Foto)

  05 Nov 2017

Deontay Wilder u bë kryetemë e mediave pas triumfit mbresëlënës në Brooklyn të New Yorkut kundër Bermane Stiverne, të cilin e mposhti që në raundin e parë duke e rrëzuar tri herë.

Ai është kampion në fuqi i WBC në kategorinë e peshave të rënda dhe arriti ta mbrojë titullin për herë të gjashtë (që nga janari i vitit 2015).

Fitorja ndaj Stiverne i ka hapur rrugë për një duel të mundshëm kundër kampionit të IBF dhe WBA, Anthony Joshua, që mund të ndodhë në vitin e ardhshëm.

Mirëpo, historia e inkuadrimit të 32-vjeçarit në sportin e boksit është e veçantë. Ka të bëjë me një shtatzëni të paplanifikuar të partneres së tij që në fakt ishte e komplikuar.

“Naieya erdhi në jetë dhe ishte një bekim në maskim, sepse padyshim se nuk do të isha duke boksuar po të mos ishte për të”, ka thënë Wilder për Dailymail.com, duke folur për vajzën e tij 12 vjeçare.

Ai ishte vetëm 19 vjeçar në vitin 2005 kur i mori vendimet që e sollën deri në këtë pikë të karrierës së tij. Deontay ishte yll basketbolli në Tuscaloosa Central High në Alabama dhe luante mirë në futbollin amerikan, mirëpo notat e shkollës ia pamundësuan që të ndiqte një karrierë në nivel kolegji.

Wilder u regjistrua në një kolegj lokal duke i rritur shpresat që të inkuadrohej në Universitetin e Alabamas, ku do të mund të luante futboll ose basketboll me Crimson Tide.

Mirëpo, para se këto ëndrra të fillonin, ai dhe e dashura e tij, Helen, mësuan se do të bëheshin prindër. Për më shumë, mjeku u tha se vajza e tyre do të lindte me ‘spina bifida’ (një defekt i lindur, ku ekziston një mbyllje jo e plotë e shtyllës vertebrale dhe membranave rreth palcës kurrizore).

“Më kujtohet kur isha në zyrën e mjekut. Dritat e ndezura, nëna e saj ishte afër meje dhe mjeku na jepte instruksione se si të kujdeseshim për një fëmijë me ‘spina bifida’ dhe na fliste për organizatat e ndryshme që mund të na ndihmojnë”.

“Asokohe, ai na dha edhe opsionin B… Mund ta ndërpritnim shtatzëninë. Menjëherë e shikova atë (partneren) dhe pastaj iu ktheva atij (mjekut): ‘Nuk mund ta bëj këtë’”.

“Në atë kohë, ajo veçmë ishte zhvilluar, e dinim (se ishte vajzë). Thash me vete: ‘T’ia japim jetën. Kurrë nuk i dihet se çfarë mund të bëhet’”, ka rrëfyer Wilder.

Nëna e Naieyas u pajtua me boksierin. Mirëpo, në vitet e para të jetës, Naieya u desh t’i nënshtrohej një sërë ndërhyrjesh kirurgjike për t’ia dhënë mundësinë që të ecte. Disa prej tyre kushtonin shumë dhe nuk mbuloheshin nga programet e ndryshme të sigurimeve dhe organizatave bamirëse.

“Si prind, kurrë nuk dëshiron të dëgjosh se fëmija yt do të lindë me një paaftësi. Të gjithë duam fëmijë të shëndetshëm. E gjithë kjo më qarkullonte në kokë”, ka treguar ai, transmeton Telegrafi.

Ai nisi të bënte punë të ndryshme për të përfituar para, ndërsa u detyrua ta linte shkollën që do të thoshte se edhe përfunduan ëndrrat e tij për t’u bërë basketbollist apo futbollist.

Mirëpo, Wilder veçmë kishte filluar të mendonte për opsionet tjera, në veçanti për boksin. Duke qenë se gjithmonë kishte dalë fitues në përballjet me bashkëmoshatarët duke u rritur, ai filloi të mendonte për boksin. Për më shumë, boksierët fitonin para dhe nuk duhej të shkonin në kolegj.