Nga “Dhelpra”, tek “Taraboshi”, si ndiqej Eqrem Çabej nga Sigurimi, kush janë kolegët spiunë

Nga “Dhelpra”, tek “Taraboshi”, si ndiqej Eqrem Çabej nga Sigurimi, kush janë kolegët spiunë

  11 Mar 2019

Kush e mban mend atë fotografinë e famshme ku shfaqet Enver Hoxha me shkencëtarin Eqrem Çabej, ku të dy duket se po “hahen” me njëri-tjetrin me fjalë, e ka të vështirë ta besojë se diktatori e kishte halë në sy bashkëpatriotin e tij gjirokastrit. Pak e dinë se Eqrem Çabej ndiqej nga Sigurimi i Shtetit dhe se dosja e tij formulare mbante numrin 2383.

Studimi i historianes Ledia Dushku zbulon “sekrete” të kësaj dosjeje, mënyrën se si shkencëtari që kishte refuzuar autoritetet fashiste e naziste të merrte poste të larta, ndiqej nga kolegë të tij, të vënë nën shërbim të Sigurimit të Shtetit, si e godiste dhe afronte Enver Hoxha, si u bënë gati ta përjashtonin nga Instituti i Shkencave e si e “ruajti” Nexhmije Hoxha. Ky është vetëm një pjesë e studimit të thelluar të Dushkut, ardhur për lexuesit në mënyrë të përshtatur, në librin “Kur Sigurimi merrej me shkencë”

TË MBIJETOSH PËRMES HESHTJES ….

Është 6 gushti i 1908-ës, kur në Eskishehir, pranë Ankarasë në Turqi, gjyqtarit Hysen Çabej i lind djalë. E quan Eqrem dhe kur kërthiu është vetëm 6 muajsh, Hyseni kthehet me familjen në Gjirokastër. I vogli do ta njihte gjithë jetën këtë qytet si vendlindjen e tij.

Aty kaloi fëmijërinë dhe kreu shkollën fillore dhe atë qytetëse. Kur ishte 12 vjeç, me bursë të shtetit shqiptar, Hyseni e çon të birin për shkollim në Austri, ku vijon edhe Universitetin e Grazit dhe Vjenës. Eqremi tanimë djalosh specializohet për Linguistikë të Përgjithshme e Indoevropiane e në Albanistikë. Njihet aty me profesor Norbert Joklin, një prej albanologëve më në zë të kohës, që do të bëhej udhërrëfyesi i tij drejt dijes. Mes profesorit dhe studentit u krijua një raport miqësor e me nxitjen e tij, Çabej hodhi hapat e parë në kërkimin shkencor, duke vijuar doktoraturën për studime italo-shqiptare, ku mori gradën “Doktor” në Vjenë.

[eqrem-cabej-enver-hoxha]

Universiteti i propozoi djaloshit shqiptar të qëndronte si asistent i Joklit, por Çabej refuzoi. Ai u kthye në Shqipëri, ku në 13 vite i ishte dhënë një bursë prej 23 mijë frangash, me kushtin që pas studimeve t’i shërbente shtetit 7 vjet ose t’i kthente të hollat e marra. Riosh e nga një familje e mirë, Çabej fill pas kthimit punon si profesor i letërsisë dhe gjuhës shqipe në Shkodër, Elbasan, Gjirokastër e Tiranë, madje mban edhe detyra si drejtues në shkolla e në Ministrinë e Arsimit të kohës. Relacionet flasin për një profesor me prirje liberale, që respekton mendimin e nxënësve.

Ka nisur ndërkohë botimin e artikujve në revista shqiptare si “Hylli i Dritës”, por edhe në ato ndërkombëtare, e ka botuar më 1936 librin për shkolla “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”. Emri i tij po bëhej i njohur. Është drejtor i Liceut të Tiranës, kur më 1940 fashistët ankohen se ai është “i vetmi person përgjegjës për veprimet e këqija të kryera nga studentët e Liceut në demonstratat e njohura të 28 nëntorit 1939”. Ankohen edhe se Çabej nuk ka treguar shenjë afrimi me politikën fashiste, cilësohet i rrezikshëm, ndaj merren masa për ta shkarkuar nga detyra.

32-vjeçari Çabej dërgohet në Itali deri në 1944 dhe ngarkohet të punojë për Atlasin Gjuhësor Shqiptar në Akademinë e Shkencave në Romë. Gjatë qëndrimit atje, kohë që e quante internim, Çabej është lidhur me fatin e atdheut dhe anëtar i rregullt i Institutit Mbretnuer të Studimeve Shqiptare. Si ai, anëtar i rregullt në Institut ishte edhe një prift italian albanolog, për të cilin në Shqipërinë e kohës kishte polemika.

Ndaj, megjithëse ende në pushtim, më 1942 Çabej i shkruante një letër të guximshme kryetarit Ernest Koliqi, ku i kërkonte t’ia hiqte emrin, sepse “(anëtar) i këtij Instituti figuron atë Fulvio Cordignano, të cilin unë vërtet as nuk e njoh personalisht, veçse njihet botërisht si armik i rreptë i racës shqiptare”. Më 1942 fashistët e më 1943 nazistët do t’i propozonin postin e ministrit të Arsimit në qeverinë e Tiranës. Ai nuk pranoi, sepse, siç tregoi më vonë, “nuk pajtohej me nderin tim shqiptar dhe me të mirën e vendit dhe të popullit tim”.

Përtej njeriut që nuk donte të merrej me politikë, për studiuesen Ledia Dushku dhe të bijën e Çabejt, ai nuk mund të bëhej ministër i nazistëve, kur ata i kishin vrarë profesor Joklin, “babanë e tij shpirtëror”. Kishte kaluar katër vite në Romë, kur Eqremit i vritet vëllai, Selahudini, nënprefekt i Tropojës, çka e bën të kthehet. Lufta ishte drejt fundit, partizanët po shpallnin fitoren, kur ai nis punë në Ministrinë e Arsimit dhe vazhdon angazhimin në Institutin e Studimeve Shqiptare me skedat në shqip për shkencat e natyrës, me Sabiha Kasimatin dhe Gjergj Komninon. Por mbarimi i luftës dhe instalimi i sistemit komunist e ndryshoi tërësisht raportin mes shkencës dhe shtetit. Në vend që shkenca të “diktonte” politikat, ishin këto të fundit që diktonin shkencën.

Enver Hoxha, në fjalimet e mbajtura kërkonte që shkenca të ishte “në shërbim të masave punon- jëse” dhe e mbrujtur me frymë partie. “Njeriu i ri” që kërkohej duhej të mendonte si Hoxha. Po sa mundej një intelektual i kalibrit të Çabejt të përshtatej me kushtet e reja të të menduarit si partia? Për shkak të formimit dhe jetës më shumë se 30-vjeçare mes Europës e Shqipërisë, Çabej pozicionohej natyrshëm tek elita e “vjetër”, pa parti, të shkolluar jashtë, që vinin nga familje të mëdha, që nuk mund të pranonin një regjim që më së pari u merrte lirinë. Të gjitha këto u bënë shkak që ai të cilësohej që në fillim prej regjimit të ri, si element “i rrezikshëm, me probleme ideologjike e politike”. Për njerëz si Çabej, Partia Komuniste kërkonte që ata të bashkëpunonin me regjimin ose, siç koha e tregon, ekzekutoheshin, burgoseshin, internoheshin.

Është shtatori i vitit 1946 dhe doktori i shkencave Eqrem Çabej është 38 vjeç, kur Sigurimi i Shtetit e vë nën përgjim. Një shënim i datës 29 të atij muaji interpreton jetën e tij me tone akuzash: “Çabej në kohën e fashizmit ishte dërguar në Itali… Ka pasur marrëdhënie të mira me gjermanët, se këta e emëruan ministër, mirëpo ky nuk pranoi… Dyshohet se ka qenë besnik te gjermanët, sa të liroj dhe të dërgoj në Shqipëri 30-40 shqiptarë të internuar prej italianëve”. Sa u takon lirimit të shqiptarëve të internuar gjatë fashizmit, e bija Brikena Çabej dhe rrëfime të dëshmitarëve, si shkrimtari i njohur Petro Marko, nxjerrin anën tjetër të ngjarjes.

Në ambasadën gjermane në Romë punonte një shok shkolle nga Vjena, tek i cili Çabej mundi të merrte një shkresë që lejonte Petro Markon të mblidhte nëpër Itali të burgosurit dhe të internuarit shqiptarë e t’i riatdhesonte. Por shërbimet për shtetin dhe ato që duhej të ishin asete për të ardhmen e tij, si studimet e kryera në Austri, njohja e disa gjuhëve të huaja, prejardhja nga një familje e pasur, përvojat e punës, bashkë me miqësinë me elitën intelektuale të kohës u kthyen për të në njolla të errëta, që lajmëronin rrezik. Faktet e jetës së tij manipuloheshin në relacionet e Sigurimit të Shtetit, kur shënohej se “okupacionin fashist e ka pritur mirë, duke e përhapur dhe deklaruar si mik të popullit tonë”.

Sigurimi i Shtetit më 11 tetor të 1950-ës e cilëson “armik të pushtetit popullor”, me një kunat të arratisur si ballist dhe me vëllanë e vrarë nga partizanët para çlirimit. Shtuar kësaj, agjentja “prurësja” raportonte se në takimet mes Çabejt dhe Sabiha Kasimatit “bisedohet rreth kulturës, shkencës dhe veprave… të shkrimtarëve me kulturë borgjeze. Kultura marksiste për ta kon- siderohet si hiç gjë, veprat e Leninit jo si kryevepra, por si ngjarje të rastit”. Dy vite më vonë, miqtë e tij më të mirë, përfshi Sabiha Kasimatin, ishin ose të ekzekutuar, ose përgjoheshin, ndërsa ai vetë cilësohej se kryente “aktivitet antipopullor, kundra atdheut dhe popullit”.

Thuhej se në Vjenë ka marrë tendenca naziste, i përmendej Roma, dy propozimet për ministër dhe theksohej se “asht parë të shoqnohet me elementa të dyshimtë”. Ishte koha kur Eqremi, tanimë 44-vjeçar, po takohej me Shyrete Kurteshin, e përjashtuar nga Partia, e survejuar dhe bashkëshortja e tij e ardhshme. Në vitet 1952-1955, Sigurimi harton gjashtë plane masash për përgjimin e Çabejt dhe i vë pas gjashtë agjentë me pseudonimet “Prurësja”, “Drojtja”, “Edija”, “Dhelpra”, “Çajupja”, “Taraboshi”. Tanimë ndiqej çdo moment, i kontrollohet puna që bën, korrespondenca, me kë shoqërohet, ku shkon, kë takon nga Instituti në Bibliotekën Kombëtare a rrugës për në shtëpi, deri edhe hyrje-daljet në shtëpi. Për të nuk po gjendej asgjë e rëndë.

Një ish-studenti i tij e më pas koleg, që si bashkëpunëtor i Sigurimit raporton me pseud- onimin “Edija”, thotë se ai ka “kulturë borgjeze, është mjaft i zgjuar e inteligjent, por dinak”, madje shton se që në kohën e Zogut, “kur vendi i zakonshëm për shumicën e profesorëve ishte kafeneja, ky studionte, nuk është njeri i bixhozit”. Ish- studenti spiun raporton se Çabej mendon se “ka disa njerëz të mëdhenj, që qëndrojnë mbi politikën, nuk interesohen, se për fillin fare”. “E tha me pasion këtë” thekson,- “Edija”,- “aq sa më dha të kuptoj se ishte i bindur që një qëndrim i tillë ishte i përshtatshëm për njerëzit e mëdhenj, prandaj ai e mbante…” Komunistët e shihnin si mendjemadh, që nuk pajtohej me luftën e klasave dhe çështjet shkencore i shihte të ndara nga politika, duke sfiduar kështu ideologjinë e kohës.

Teksa përgjohej në çdo hap e çdo mendim, pyetja është si i shpëtoi vdekjes? Përgjigjja do të ishte: heshti e nuk foli me askënd, për asgjë. Duhet të ketë qenë e dhimbshme për të, të shihte se si miqtë më të mirë i vriteshin. Ai duhet ta ketë kuptuar shpejt edhe pse. E kur shumë miq regjimi ia mori duke ia vrarë, ai rralloi takimet me të tjerët e mbetur gjallë. Dosja e tij në Sigurimin e Shtetit tregon se numri i njerëzve që ai takon mpaket vit pas viti. Nëse më 1948, Çabej kishte kontaktuar 62 persona, në vitin 1953 vetëm 17, ndërsa më 1956- ën, gjatë 5 ditëve të survejimit ai kishte takuar jashtë familjes vetëm 2 veta, njëri prej të cilëve ishte i vjehrri.

E bija, në një intervistë për studimin e Ledia Dushkut, mbi të cilin bazohet ky artikull, e përshkruan të atin si: “njeri i matur, i qetë, me një edukatë të pabesueshme. E kam parë shumë rrallë të humbiste durimin dhe të nervozohej. Zakonisht, kur e bënte këtë, ikte nga dhoma. Nuk shante njeri dhe konfliktet i evitonte si të mundej. Kishte parime, të cilat nuk i shkelte kurrë. E dinte fort mirë se ku ishte dërrasa e kalbur dhe i qëndronte larg. Nuk ankohej, megjithëse nuk ka bërë jetë të lehtë. Për gjëra që i dhembnin, nuk fliste kurrë”. Kjo ishte arsyeja e parë pse e lanë gjallë, ndërsa e dyta ishte nevoja që patën për të. Prej 1950-ës, puna në Institutin e Shkencës ishte nën lupën e partisë. Vetë Enver Hoxha, që kon- trollonte raportet, shprehej se, “ne e dimë… se çfarë elementi është Eqrem Çabeu, por duhet të përpiqemi që ta bëjmë të punojë”.

Diktatori do ta përmendte emrin e Çabejt në mbledhje çdo dy vite, duke vënë në dukje “të metat e tij”, kur raportet e Institutit dhe të Sigurimit i thoshin edhe aftësitë. Ndonjëherë, kur zbutej gjuha me intelektualët e vjetër, Hoxha kërkonte mënyra paqësore të punës me ta, jo ato policore e të dhunshme, por kishte vite si ai 1954, kur diktatori shprehej se, “dituria e njerëzve si Sejfulla Malëshova, Eqrem Çabej etj., … nuk na vlen për në Institut”. Kur më 1955 emri i Ça- bejt qe propozuar të hiqej nga Insti- tuti i Shkencave, bashkëshortja e diktatorit, Nexhmije Hoxha, drejtore e Sektorit të Agjitacionit e Propagandës, do e zbuste situatën duke thënë: “Për Eqrem Çabejin, po të nisemi nga ana politike, mund të hiqet, por unë them se ai nuk duhet të hiqet, duke marrë parasysh se ai sot (shkencërisht) punon për ne”. Në këtë kohë, Çabej ishte i pazëvendësueshëm: po bënte transkriptimin e veprës më të vjetër në shqip, “Mesharit” të Gjon Buzukut (1555).

E cilësuar si punë murgu, ajo mund t’i merrte 8 vite kohë dhe qe një detyrë që iu dha me urdhër, duke e detyruar të linte mënjanë “Atlasin e Gjuhës për Historinë e Letërsisë Shqipe”, që sipas kolegëve që ankoheshin, ngurronte ta bënte. “Meshari” jo vetëm nxori në pah domosdoshmërinë e dijes së Çabejt, por u bë mbase, edhe shpëtim- tari i tij. Atij iu tolerua të shkruarit, sipas metodologjisë “borgjeze”, sepse, siç raportonte “Edija”, Çabej “njeh gjithë anën teorike të shqipes, çfarë është thënë mbi të nga lin- guistët e mëdhenj” dhe “nuk e nxjerr kurrë punën nga dora kur s’ka përfunduar si duhet”. Pas 1955-ës, jepet leja që ai mund të udhëtojë edhe jashtë vendit me delegacione. Mbas 10 vitesh presion ndaj tij, nis politika e lirim-shtrëngimit.

I jepen dy çmime të larta pas vitit 1961 dhe Çabeji, që në dosje kishte qenë “armik i popullit”, në fjalimet e Hoxhës përmendet si “mik i vjetër” dhe “profesor me rezultate të shkëlqyera”. Nëse ky burrë i mençur ia doli të bëjë kaq dritë në studimet albanologjike nën presion, sot, ne as mund ta marrim me mend se çfarë mund të bënte në liri. Jeta e tij, pavarësisht se nuk la të shkruara kujtime e ndjesi, mund të mendohet si një luftë në heshtje me armiqtë që e dinte se e ndiqnin.

Diku do kenë lënë gjurmë që ai i ka parë pa reaguar. I vetmi reagim që pati shkencëtari qe izolimi brenda vetes, nuk fliste më, nuk kumtonte më, nuk bisedonte më. Ai i shpëtoi burgut, por u ngujua në një hapësirë të kontrolluar, duke e ditur se burg qe dhe ky. Larg prej dy skenave, larg prej zyrës së tij dhe shtëpisë së verdhë dykatëshe, ku ai kishte gruan dhe vajzën, ruhej ende një tufë me raporte të Sigurimit të Shtetit, mbi të cilën shënohej “Dosja formulare Nr. 2383”. Ajo qe e hapur deri gjashtë muaj pas ndarjes nga jeta të profesor Çabejt, duke mbajtur në të jetën e tij të tkurrur dhe emrin e madh të autorit të dhjetëra studimeve.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.