fbpx

Nesër mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i VV-së:Shkarkohet Visar Ymeri?!

  16 Dec 2017

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje më në fund do të mblidhet pas disa muajsh.

Nesër do të jetë dita, kur organi më i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, do të diskutoj për zhvillimet e fundit në partinë, e cila aktualisht është me numrin më të madhë të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Zhvillimet e fundit që ndodhën në partinë e drejtuar nga Visar Ymeri, ku gjithcka shpërtheu pas publikimit të bisedës ndërmjet deputetëve, ku Aida Dërguti e quajti mut, Albin Kurtin, nxitën reagime të shumta, shkruan Gazeta Blic.

E, sidomos intervista që kreu i VV-së, Visar Ymeri ku ai u rreshtua në krahun e ‘rebeluar’ që ndryshe po quhet si krahu i Dardan Molliqajt, deputet ky që në mbledhjen e së hënës pati një kusht të rëndë për të qëndruar në VV- që nëse kandidon Kurti për kryetar, ai largohet nga VV.

Në mbledhjen e nesërme të këtij këshilli, pikërisht këto zhvillime do të jenë temë e diskutimeve.

Kështu të paktën thonë burime të Gazetës Blic brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas këtyre burimeve, përpos kësaj teme, një tjetër cështje shumë e rëndësishme do të jetë edhe tema e zgjedhjeve të brendshme, ku shkurti është afati i fundit kur VV duhet ta ketë kryetarin e ri.

“Nesër do të diskutohen dy tema: Zgjedhjet e brendshme dhe zhvillimet e fundit në këtë parti”, ka thënë ky burim për Gazeta Blic.

 

Gjithnjë sipas këtyre burimeve, mund të ndodhë që dikush nga Këshilli i Përgjithshëm të kërkoj llogari nga Visar Ymeri për këto zhvillime në parti.

“Mund të ndodhë që të kërkohet edhe shkarkimi i Visar Ymerit nga posti i kryetarit të VV-së”, tha ky burim i Gazeta Blic.

Ndërkaq, zyrtarisht askush nga kjo parti nuk ka dashur që të flas se cka pritet të diskutohet në mbledhjen e nesërme dhe cfarë vendimesh do të ndërmerren.

I vetmi i cili është deklaruar deri më tani, është anëtari i VV-së, dhe ish- kandidati I kësaj partie për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Avni Zogiani.

Ai ka thënë se nesër Visar Ymeri duhet të jetë kryetar i të gjithëve në Vetëvendosje.

Gazeta Blic ditë më parë ka raportuar se pas kërkesës së grupit të Molliqajt që Albin Kurti mos të kandidoj për kryetar, si kusht për mos u ndarë VV, mund të sjellë një kryetar konsensual.

Sipas këtyre burimeve, në këtë situatë kandidati që do t’i kishte gjasat më të mëdha për t’u zgjedhur kryetar, do të ishte Glauk Konjufca, i cili do të ishte i pranueshëm për të dy grupet.

 

Gjithnjë sipas këtyre burimeve, grupi i Molliqajt si kusht ka vendosur edhe postin e sekretarit të përgjithshëm, post ky shumë i rëndësishëm, i cili ushtrohej deri para disa muajsh nga ana e Dardan Molliqajt.

E këtë post thuhet se po planifikohet t’i jepet Dardan Sejdiut, njërit prej deputetëve më të votuar të VV-së.

Ndërkaq, pas shpërthimit të skandalit me Aida Dërgutin, kjo e fundit është shkarkuar nga ana e degës së Vushtrrisë, nga kryetarja e Degës, derisa ka dhënë dorëheqje edhe nga posti i nënkryetares së VV-së.

E, sot anëtarët e VV-së, nga Tirana kanë kërkuar që Aida Dërguti të shkarkohet edhe nga posti i nënkryetares së Kuvendit.