Në vënien e gurthemelit të kishës në hapësirën e UP-së ishte edhe Arkani (video)
Kishës ortodokse serbe në kampusin e Universitetit të Prishtinës, e ashtuquajtur Kisha e Krishtit Shpëtimtar, gurthemeli iu vu më 5 dhjetor 1992. Atëherë në Kosovë funksiononte vetëm pushteti okupues serb, ndërsa shqiptarët, me përjashtim të atyre që i shërbenin atij regjimi, ishin dëbuar nga puna dhe nuk kishin kurrfarë force ndikimi. I okupuar nga regjimi i Millosheviqit ishte edhe Universiteti i Prishtinës.
Atë ditë dimri, përveç gjithë kreut të Kishës tradicionalisht shoviniste dhe antishqiptare serbe, në Prishtinë kishte zbarkuar edhe kryekrimineli që i komandonte paramilitarët e quajtur “Tigrat”, Zheljko Razhnatoviq – Arkan (minuta 14:57). Ai merrte pjesë në gurthemelin e kishës, që do të përfundonte vetëm shtatë vjet më pas, transmeton Koha.net.
Shumë klerikë fetarë ortodoksë serbë, serbë të Kosovës dhe të ardhur merrnin pjesë në fillimin e ndërtimit të kësaj kishe me prapavijë jo fetare por nacionaliste e shoviniste, në kampusin e Universitetit të Prishtinës, në kohën kur universiteti nuk kishte asnjë shqiptarë, të gjithë të larguar nga regjimi serb, përveç shërbëtorëve të atij regjimi, ndonjëri prej të cilëve do të jetë edhe nënshkrues i lejes për këtë atë kishë.
Tani ka më shumë se një javë që kjo kishë është shndërruar në temë kryesore në Kosovë. Klerikë fetarë me vullnetarët e tyre nga Graçanica kanë ndërmarrë aksione, sipas tyre për pastrimit e lyerjes së kishës, por që në fakt, sipas shumë analistëve, ka prapavijë destabilizimin e situatës në Kosovë, kurse Inspeksioni Komunal i Prishtinës ka bërë punën që e ka për detyrë, ka ndaluar këto punime të paligjshme, ngaqë konsiderohet objekt pa leje.
Vetë i pari i Inspeksionit të kryeqytetit, Sali Zyba, ka thënë se serbët kanë dështuar të prezantojnë një dokument valid për objektin në fjalë. Ndërsa dje, studentë të organizatave studentore janë përleshur me policinë për vënien e një pankarte te dera e kësaj kishe, me të cilën tregonin se ajo ishte në truall të Universitetit të Prishtinës. Përkundër kësaj studentët nuk janë ndalur dhe të hënën kanë paralajmëruar një aksion tjetër. Në orën 12:00 do të mblidhen për ta funksionalizuar me lexim e diskutim atë hapësirë.