fbpx

Në janar zyrtarizohet aleanca e re/ Kush përfshihet dhe çfarë synojnë…

  28 Dec 2017

Rreth 10 parti, mes të cilave dy parlamentare, pritet të zyrtarizojnë në janar një pol të ri politik. Syri.net ka mësuar se nismës i janë bashkuar edhe PDK e Nard Ndokës dhe LZHK e Dashamir Shehit, të cilët hynë në Kuvend duke u renditur në listat e kandidatëve për deputet të PD-së në qarkun e Shkodrës dhe Tiranës. Gjithashtu mund të bashkohet edhe Vangjel Dule i PBDNJ-së.

Ndërkohë që një tjetër aleat i PD-së, PAA e drejtuar nga Agron Duka, mësohet se ka qenë nismëtarja e krijimit të polit politik, ku gjithashtu do të përfshihen edhe disa parti joparlamentare, pavarësisht peshës së tyre të vogël në elektorat.

Syri.net ka mësuar se reforma zgjedhore pritet të jetë prioriteti i këtij grupimi partish, të pozicionuar nga e majta në qendrën e djathtë, por nuk përjashtohet mundësia e një bashkëpunimi edhe për zgjedhjet vendore të 2019-ës ku në zona të caktuara të mbështesin kandidatë për kryebashkiakë.

Sikundër mësohet në krye të këtij poli do të jetë një nga dy deputetët, Nard Ndoka ose Dashamir Shehi, që do të përfaqësojë interesat e subjekteve që do të përfshihen në diskutimet mbi reformën zgjedhore, duke depozituar propozimet, por edhe do të mbajë kontaktet me partitë e tjera parlamentare në lidhje me këtë çështje.

Gjithçka nisi me një takim të zhvilluar në Durrës ku morrën pjesë 7 kryetarë partish, takim që ishte inisiativë e kreut të PAA-së, Duka.

Kreu i PAA, Agron Duka, disa ditë më parë, tha se rezultati i parë do të jetë krijimi i një boshti prej 10 partish, parlamentare dhe jo, dhe bashkërisht do të prezantojmë një platformë me propozime konkrete; sigurisht, guri i themelit i këtij bashkimi është “Reforma Zgjedhore”.

“Lançimi i kësaj ideje politike, e kësaj alternative, do t’i bëjë mirë shoqërisë shqiptare dhe vetë jetës politike në vend, pasi kërkon që procesi zgjedhor të lejojë përfaqësimin e sa më shumë shtresave të popullsisë.

Ideja e një poli të tretë apo të qendrës, në thelbin e saj ka edhe një efekt tjetër pozitiv, limiton mazhorancat e plota nga një forcë e vetme; eksperiencat kanë treguar që mazhoranca, sidomos aktualja, sillen me arrogancë dhe për të frenuar këtë sjellje është e rëndësishme të ketë një ekuilibër në çdo mazhorancë të ardhshëm”, tha Duka.