Ndodh në Qeverinë e Kosovës: E bëjnë gabimisht zëvendësministër

  12 Nov 2017

Emërimi i zëvendësministrave të shumtë në Qeverinë Haradinaj, ka bërë që shumë qytetarë të bëjnë shaka me këto pozita, duke pyetur se “Ku mund të shohin nëse janë bërë zëvendësministra”, apo “Kujdes mos shko nga Qeveria se të bëjnë zëvendësministër”. Por, dikujt, i ka ndodhë vërtetë që Qeveria ta bëjë zëvendësministër pa e ditur fare. Normalisht, këtë post e ka gëzuar vetëm për një ditë, raporton KosovaOnline.

Eset Rama, kur e kishte marrë lajmin se është bërë zëvendësministër, kishte njoftuar vetë në Facebook, për detyrën e re. Rama, një shërbyes civil, të martën, e mori lajmin, i cili e gëzoi edhe atë edhe miqtë e tij që ia uruan këtë detyrë.

“Ju faleminderit të gjithëve për urimet dhe mbështetjen tuaj, por ju njoftoj se do ta vazhdojë karrieren time në shërbimin civil të Kosovës”, ka shkruar Rama.

Burime brenda Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një gabim. Në vend se të njoftohej Heset Sahiti për pozitën e zëvendësministrit, është njoftuar Eset Rama. Ky i fundit aktualisht punon në Këshillin Prokurorial të Kosovës, ndërsa më herët ishte pjesë e Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Ndërsa Heset Sahiti ishte kandidat për kryetar të Lipjanit dhe meqenëse në zgjedhjet e 22 tetorit mori vetëm 3.6 për qind të votave, u shpërblye me postin e zëvendësministrit të Arsimit.

Shpërblime të tilla morën edhe kandidatë të tjerë që dështuan nëpër komuna. Numri i zëvendësministrave ka arritur në 50. Në ministri të caktuara numri i zëvendësministrave ka arritur në 5, e pritet që emërimet e zëvendësministrave të vazhdojnë.