Ndërpritet ndeshja e basketbollit Tirana-Partizani (Video)

I rikthyer pas shumë vitesh, derbi i Tirana-Partizani në basketboll nuk arrin të mbyllet ashtu siç ishte parashikuar.

Në shtëpinë e bardhebluve, që është fusha sportive “Farie Hoti”, tifozëria e Tiranës ka mbushur të gjitha shkallët duke mbështetur gjatë gjithë kohës skuadrën në fushë.

Epërsia e vendasve gjatë gjithë lojës i bëri të ruajnë qetësinë lojtarët e të dy skuadrave deri në shkëndijën e parë.

Daliu ndërhyn ashpër ndaj lojtarit të Tiranës dhe aq duhej. Lojtari i Partizanit, Pylla, nga stoli futet në fushë duke tensionuar më tepër situatën. Pas përjashtimit të tij, ai në dalje ofendon edhe tifozët që më pas dalin jashtë kontrolli.

U prit për rreth 40 minuta që loja të rifillonte. Partizani kërkoi zbrazjen e tribunës ku ndodhej grupimi i tifozëve të Tiranës, por kjo gjë nuk ndodhi edhe pse policia mori përsipër që ndeshja të rifillonte nën sigurinë e saj, duke ndërprerë gjithçka në periodën e tretë nën shifrat 43-37 në favor të Tiranës, por që ndeshja do të presë një vendim të komisionit të disiplinës për rezultatin përfundimtarë.