Monopolit “devollian” të homologimit mund t’i vijë fundi
Autoritetet ligjore të hetojnë se kush përfitoi paligjshëm dhjetëra milionë
Edhe pse prej më tepër se një muaji e kemi qeverinë e re, ende monopolet lejohen, siç është rasti i homologimit të veturave. Por, bazuar në deklaratën e njërit prej ministrave kryesorë të kryeministrit Haradinaj, duket se Qeveria e tij nuk do të frikësohet që më në fund pas nëntë vjetësh të heqë monopolet skandaloze, antikushtetuese e të kundërligjshme të homologimit të makinave, me të cilat ka dyshime të mëdha se edhe pozita ashtu edhe opozita janë ushqyer nga korporatokracia dhe mafio-oligarkia. Ministria e Infrastrukturës me ministrin e ri, Pal Lekaj, pritet që të veprojnë shumë shpejt sipas ligjit, duke licencuar edhe kompani të tjera për homologim të makinave, duke e ndërprerë monopolin e një kompanie që deri më tash zhvati afro 20 milionë euro të popullit që përfunduan ekskluzivisht në xhepat e kompanisë ‘Devolli’ dhe klanit ‘Pronto’. Analistët pyesin se a do të përgjigjen penalisht zyrtarët që e kanë lejuar, por edhe që e kanë nënshkruar këtë kontratë si edhe vetë pronarët e kompanisë ‘Devolli’ dhe mbështetësit ortakë realë të tyre për këtë zhvatje tanimë mbi 8-vjeçare. Për analistët e ekonomisë mbetet një mister i madh se përse Prokuroria e Shtetit po hesht për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve dhe madje nuk po merr asnjë veprim të vetëm “ex officio” që prej vitit 2009, kur edhe është nënshkruar kontrata skandaloze për homologim të makinave, të cilën e gëzon si ekskluzivitet kompania “Devolli”, prapa së cilës ka dyshime të mëdha se qëndrojnë politikanë me pozita të larta në shtetin e Kosovës.
Premtimi i ministrit
Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj (AAK), në një prononcim të shkurtër për gazetën” Kosova Sot”, tha se sa i përket homologimit të automjeteve ministria do të veprojë sipas ligjeve. Sipas tij, askush nga kompanitë e Kosovës më nuk do të ketë privilegje. “Ne si ministri do të zbatojmë ligjet që janë në fuqi dhe në këtë drejtim do të veprojmë në mënyrë strikte vetëm në bazë të ligjit”, u shpreh ai. Ndërsa, deputeti Enver Hoti (Nisma) për gazetën “Kosova Sot” tha se shumë më mirë dhe më e ndershme do të ishte sikur ministria përkatëse të jepte licenca për homologim të makinave, sepse fundja këtë e garanton edhe Kushtetuta e vendit, që garanton treg të lirë dhe pa monopole.”Kjo sepse në këtë mënyrë sikur të liberalizohej tregu, që në çdo komunë të Kosovës të kishte së paku nga 2 kompani të licencuara për homologim të makinave, e jo të gjitha paratë e qytetarëve, që janë me miliona euro, të përfundojnë vetëm në xhepat e një kompanie, cilado qoftë ajo”, shtoi ai. “Kam besim të plotë se Qeveria ‘Haradinaj’ nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që të ketë monopole në asnjë fushë të ekonomisë, duke garantuar tregun e lirë e të barabartë për të gjitha bizneset”, theksoi Hoti.
Heshtja skandaloze e prokurorisë
Analisti Ragip Guraziu tha për “Kosova Sot” se të gjitha qeveritë e dekadës së fundit, si edhe kjo e tashmja, po frikësohen që të prekin monopolet skandaloze dhe antikushtetuese e të kundërligjshme në fushën e homologimit të makinave.”Dardha pikë nën dardhë, thotë populli dhe këtë po e shijojnë qytetarët e Republikës së Kosovës me qeveritë e deritanishme, secila deri më tani ngjashëm ka vepruar dhe janë duke vepruar në dëm të qytetarëve dhe vetë shtetit të Kosovës, që e kanë degraduar deri në skaj dhe po e dërgojnë drejt humnerës”, u shpreh ai.”Rasti konkret është edhe tani, pasi që Ministria e Infrastrukturës me ministrin e ri deri më tash nuk ka dhënë asnjë licencë për homologim të makinave, duke lejuar edhe më tej që populli të zhvatet dhe afro 20 milionë euro të popullit deri më tash kanë përfunduar ekskluzivisht në xhepat e kryemafiozëve ‘Devolli’ dhe klanit ‘Pronto'”, potencoi Guraziu. Sipas tij, është për t’u habitur se si jo vetëm me këtë skandal, por edhe me skandalet tjera Prokuroria e Shtetit po hesht për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve dhe nuk merr as edhe një veprim ‘ex officio’ prej vitit 2009, kur edhe është nënshkruar kontrata për homologim si ekskluzivitet për ‘Devollët’ e bashkuar me politikanë me pozita të larta shteti”.