Mogherini jep këtë deklaratë, godet Kosovën
Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherinit, gjatë qëndrimit të sotëm në Shqipëri ka thënë se askush nuk përfiton nga ngërçi i dialogut.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka stagnuar pas taksës që Kosova i kishte vendosur produkteve serbe, e heqja e saj është kushti i shtetit fqinj për rifillimin e negociatave për marrëveshjen përfundimtare.
“Askush s’do të fitonte nga ky ngërç në dialog, pasi pajtimi është baza për begatinë ekonomike dhe integrimin. Askush s’mund të nënvlerësojë interesin e të gjithëve për rifillimin e dialogut”, ka thënë Mogherini.
Sipas saj Dialogu ka sjell rezultate që kanë qenë të rëndësishme si për Prishtinën ashtu edhe për Beogradit, por edhe për rajonin.
“Muajt e fundit kanë qenë të vështirë që nga momenti kur mund të niste faza e takimeve më intensive dhe objektivi ynë ka qenë dhe vazhdon të jetë objektivi i arritjes së një marrëveshje ligjore të dakordësuar për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, është shprehur Mogherini, sipas koha.net.
Ajo tha se nëse sot do të hiqej taksa menjëherë do të thërriste një seancë të dialogut.
“Gjatë muajve të fundit, vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën ndaj mallrave serbe dhe boshnjake ka krijuar një ambient toksik dhe jo frytdhënës për dialogun. Por, është edhe shkelje e marrëveshjeve të arritura. Kemi kërkuar që të hiqet taksa që do të krijonte kushte që dialogu të rifillonte dhe jam e bindur se nëse këto tarifa do të hiqen sot atëherë menjëherë do të thirrja një seancë të re dialogut. Kjo do të ishte e vështirë por ndoshta do të ishte produktive”, është shprehur Mogherini.
Ajo ka shtuar se “në mungesë të këtij mjedisi nuk shoh që këto gjëra të rifillojnë, prandaj përgjegjësia është te institucionet e Kosovës”.