Ministri milioner i Qeverisë “Haradinaj”

Besim Beqaj, ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është një prej ministrave më të kamur të Qeverisë Haradinaj. Ai është emëruar si ministër më 11 shtator, kurse ka bërë deklarimin e pasurisë më 6 tetor 2017.

Beqaj pos si ministër, nga janari 2010 është i angazhuar në gjimnazin „Cambridge“ në Pejë si konsulent për fushën e edukimit, pastaj punon si profesor i asocuar në Universitetin e Prishtinës, gjegjësisht në Fakultetin Ekonomik që nga viti 1996. Beqaj është edhe profesor i angazhuar në Fakultetin e Biznesit në Pejë që nga vitit 2014 si dhe profesor i angazhuar në Kolegjin AAB nga marsi i vitit 2015.

Ministri Beqaj ka pasuri të palujtshme në vlerë milionëshe. Ai ka shtëpi dhe truall me 393 metra katrorë në vlerë 232 mijë euro, kurse prejardhja e kësaj pasurie të vitit 2008 është kredi, huazim dhe kursime. Po ashtu Beqaj ka një shtëpi familjare dhe truall me hapësirë 2600 metra katrorë, pronë e përbashkët që nga viti 1984 në vlerë 500 mijë euro. Ministria posedon edhe një shtëpi tjetër pronë të përbashkët 300 metra katrorë me vlerë 250 mijë euro. Po ashtu ka 5.5 hektarë tokë dhe mal, pronë të përbashkët si trashëgimi familjare, në vlerë gjysmë milioni euro. Këto figurojnë si prona familjare që nga viti 1970. Po ashtu Beqaj ka një hektarë e gjysmë tokë dhe objekte afariste të blera në vitet 2003/04 e që janë pronë e përbashkët në vlerë një milion euro. Po shtu ka edhe 3.7 hektarë tokë dhe mal të blera në vitin 2017, të regjistruar në emër të bashkëshortes, por që nuk jepet vlera e pasurisë.

Si pasuri të lujtshme, Beqaj ka deklaruar dy vetura. Njëra është në emër të gruas, veturë VW në vlerë 12.500 euro, e ndërruar në vitin 2011 me Golf. Kurse vetura tjetër Mercedes L është në emër të tij në vlerë 25 mijë euro, që e ka bërë ndërrim me E270 në vitin 2010 dhe pos kësaj ka hyrë edhe në kredi.

Beqaj nuk posedon aksione në shoqëri komerciale dhe ka deklaruar se nuk ka në posedim letra me vlerë. Megjithatë, ai ka para të gatshme të mbajtura në disa institucione financiare. Ai ka 7100 euro në emër të tij në RBKO në Prishtinë, kurse në të njëjtën bankë ka 17800 euro në emër të fëmijëve. Në emër të fëmijëve ka edhe 6400 euro të tjera në BKT. Në TEB ka deklaruar se ka 116 mijë euro si pasuri e përbashkët, derisa ne emër të tij në këtë bankë ka 6200 euro. Në emër të bashkëshortes ka 6300 euro në RBKO. Ndërsa në emër të prindit në BPB në Pejë ka 22 mijë euro.

Por, ministri Beqaj ka edhe detyrime ndaj personave juridik dhe fizik. Ai ka një kredi për renovim në emër të tij në bankën TEB në vlerë 30 mijë euro, në kohëzgjatje prej tri vitesh. Po ashtu, në emër të tij ka një huazim nga Peja hill shpk në vlerë 80 mijë euro.

Ministri Besim Beqaj ka deklaruar edhe sa janë të hyrat vjetore që ai realizon. Kështu si deputet nga Kuvendi i Kosovës ka regjistruar të hyra në vlerë 25 mijë euro, pastaj si profesor në Universitetin e Prishtinës 8 mijë euro, si honorare në gjimnazin në Pejë 12 mijë euro, pastaj për angazhimin në Universitetin e Pejës 2500 euro, kurse për angazhimin në Kolegjin AAB në Prishtinë 1200 euro.

Ndërsa njëri prind i tij merr pagë/pension nga gjimnazi në Pejë 11400 euro në vit, kurse tjetri 9400 euro. Bashkëshortja e tij merr 8400 euro në vit në gjimnazin privat në Pejë, pastaj merr pagë 5400 euro në bankën TEB dhe 12 mijë euro pagë në kompaninë MCD në Prishtinë.