MILAIM ZEKA KA SULMUAR INSAJDERIN QË ZBULOI MASHTRIMET E TIJ ME V
Milaim Zeka ka sulmuar sot në Kuvendin e Kosovës Gazetën Online Insajderi, pas publikimit të një artikulli rreth dyshimeve se deputeti i Nismës për Kosovën kishte mashtruar qytetarët e Kosovës nëpërmjet një agjencie punësimi.
Insajderi, në artikullin e publikuar sot me titull: “Milaim Zeka dyshohet se mashtroi 920 kosovarë me viza punësimi në Gjermani”, raportoi se 920 kosovarë kanë provuar të emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmjet një agjencie punësimi e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e deputetit Milaim Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi.
Zeka po hetohet për krim të organizuar, mashtrim dhe shmangie nga tatimi. Ndërkaq, partneri i tij, biznesmeni Ilir Krasniqi, ndodhet në paraburgim.
Pas publikimit të këtij artikulli, deputeti i NISMA-s ka sulmuar Gazetën Online Insajderi përmes dy fjalimeve. Së pari përmes një statusi në Facebook, dhe pastaj edhe nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.
“Shefi i Insajderit ka qene i hetuar per per lidhje me ISIS-in Dihet publikisht, se Pajtim Olluri, familjari i Parimit, eshte vrare ne Siri, si pjesetar i ISIS-it. Se bashku me te, sipas raporteve te Sherbimeve Sekrete Perendimore, ka qene i hetuar edhe Parim Olluri, i cili, sipas ketyre sherbimeve, sebashku me nje pjesetar te Policise te Kosoves, dhe nje biznismen, kane futur para ne relacionin Beograd-Prishtine, te cilat pastaj jane transportuar per ne Siri”, ka thënë Zeka.
Edhe pse në Kuvend ishte thirrur në interpelancë kryeministri Haradinaj, për rastin Rikallo, Milaim Zeka zgjodhi që në fjalën e tij ta sulmonte edhe njëherë mediumin Insajderi. Zeka e quajti rrugaç kryeredaktorin e Insajderit, Vehbi Kajtazin, derisa e akuzoi për ‘lidhje me ISIS-in’, drejtorin e Insajderit, Parim Olluri.
“Në qoftë se ne shkojmë sipas logjikës së këtyre portaleve; sot po shkruan portali serb i përkthyer në gjuhën shqipe Insajderi. Po shkruan po thotë, mbasi që ne folëm diçka, prokuroria e inicioi çështjen. A e dini more të nderuar deputetë, që këtu prokurorët tanë bëhen kaps prej gazetarëve rrugaçë. Po çfarë prokurori i hamamit është ai që del e dridhet si pulë prej një gazetari lahper, rrugaç, i cili ka qenë babë e babagjysh shpijun i Serbisë, Vehbi Kajtazi”, deklaroi Zeka në Kuvend.
“Ai tjetri.. ai tjetri, Parim Olluri, i cili ka qenë i dyshuar e i hetuar për lidhjet e tij me ISIS-in pasi familjari i tij, Pajtim Olluri, është vrarë me ISIS-in në Siri, del e na përgojon tanëve, e ne i rrehim shuplakë”, ka vazhduar më tej Zeka, në fjalimin e tij në Kuvend.
Milaim Zeka dyshohet se mashtroi qindra kosovarë përmes një skeme mashtrimi, që përfshinte një agjenci punësimi për t’i dhënë viza pune kosovarëve për të emigruar në Gjermani.