fbpx

MASHTRIMI PREJ MBI 51 MILIONË DOLLARËSH I DREJTORIT TË FERRONIKELIT

  25 Dec 2017

Insajderi ka zbuluar se drejtori i Ferronikelit, i cili dyshohet se është duke u fshehur në Uzbekistan, i ka shkaktuar dëme të mëdha një kompanie maqedonase. Dëmet kalojnë shumën prej mbi 51 milionë dollarë.
Mashtrimi prej mbi 51 milionë dollarësh i drejtorit të Ferronikelit
Dosja kundër drejtorit të “Ferronikel”-it, Yusuf Mirakhmedov, i cili dyshohet se është duke u fshehur në Uzbekistan, tregon për skemën mashtruese që ai kishte aplikuar në Maqedoni.

Mirakhmedov po dyshohet se ka dëmtuar gjigantin metalurgjik maqedonas “Feni Industries” në vlerë prej mbi 50 milionë dollarë.

Derisa shteti maqedonas është në kërkim të tij, në Kosovë askush nuk jep përgjigje për situatën në “Ferronikel” dhe pasojat që mund të ketë shkaktuar i arratisuri Mirakhmedov në gjigantin metalurgjik në Kosovë.

Drejtoria e Policisë Financiare në Maqedoni i ka konfirmuar Insajderit se skema mashtruese e Mirakhmedov është shtrirë deri në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Dëmi i shkaktuar nga Mirakhmedov peshon mbi 51 milionë dollarë

Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal kundër Mirakhmedov në Prokurorinë Publike të Veles. Dyshohet se ish-drejtori i “Feni Industries” ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

“Feni Industries” në Kavadar dhe “Cunico Marketing” në Dubai kishin pasur raporte afariste për një periudhë trevjeçare. Kompania nga Dubai blinte xehet e kompanisë maqedonase.

Borxhi i kompanisë nga Dubai kishte arritur vlerën e mbi 51 milionë dollarëve. Në skenë ishte shfaqur Mirakhmedov. Kishte marrë vendim që të shlyejë borxhin e kompanisë nga Dubai. Veprimi i tij dëmtoi gjigantin metalurgjik maqedonas.

“Në tetor të vitit 2016,Yusuf Mirakhmedov kishte vendosur për shlyerjen e kërkesave në shumën prej 51,505,526 USD, bazuar në shitjen e nikelit, personit juridik “Cunico Marketing” nga Emiratet e Bashkuara Arabe – Dubai”, ka thënë për Insajderin, Arafat Muaremi, drejtor i Policisë Financiare në Maqedoni.

Në vendimin e nënshkruar dhe vulosur nga Mirakhmedov shënohet edhe arsyeja e dhënies së këtij urdhri. Mirakhmedov kishte shënuar se “Cunico Marketing” nuk ka mundësi për të bërë pagesën dhe se tashmë ka skaduar afati ligjor i kryerjes së pagesës, i cili është tri vite.

Por, hetuesit policor nuk i besojnë këtij arsyetimi.

“Vendimi i miratuar për shlyerjen e kërkesave është me përmbajtje të pavërtetë, meqë kërkesa me shkrim nuk i referohet disa faturave të papaguara për shitjen e nikelit të përfunduar nga periudha e mëparshme, por paraqet një bilanc të papaguar të të arkëtueshmeve nga e gjithë periudha e bashkëpunimit afarist midis dy subjekteve juridike “Feni Industries” dhe “Cunico Marketing””, ka thënë Muaremi për Insajderin.

Rrezik për falimentim edhe në Kosovë, menaxhmenti i “Ferronikel”-it nuk konfirmon stabilitetin financiar

Përveç kryerjes së veprave penale, mediat në Maqedoni raportojnë se gjiganti metalurgjik “Feni Industries”, në pronësi të “Cunico Resources”, ka ndërprerë punën pasi është zhytur në borxhe milionëshe. “Feni…” me seli në Kavadar është një nga kompanitë më të mëdha eksportuese në Maqedoni. Megjithatë, për rreth tre muaj tani fabrika ka ndërprerë prodhimin e saj.

Likuidimin e saj e kanë kërkuar tre kreditorë “Komercijalna Bank”, “Silk Road” dhe “Stopanska Bank”. Borxhi ndaj këtyre bankave është rreth 40 milionë euro. Ndërsa 20 milionë euro të tjera, ndërmarrja ua ka borxh kreditorëve të tjerë.

Derisa kompania “Cunico Resources” ka zhytur në borxhe ndërmarrjen maqedonase dhe ka rrezikuar që të mbesin pa punë mbi 850 veta, është e paqartë se si është duke operuar “Ferronikeli” në Kosovë.

Edhe gjiganti metalurgjik në Kosovë është në pronësi të “Cunico Resoruces”. Menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje në Kosovë nuk ka dhënë ende përgjigje në pyetjet lidhur me gjendjen financiare të “Ferronikel”-it. Po ashtu, menaxhmenti nuk ka dhënë përgjigje se a rrezikojnë të mbesin pa punë mbi 900 punëtorë të “Ferronikel”-it, nëse edhe kompania në Kosovë përballet me probleme të ngjashme si miniera në Maqedoni.