fbpx

Marrëveshja sekrete e kryeministrit me mashtruesin e bankave (Dokument)

  21 Dec 2017

Ramush Haradinaj ka bërë ujdi për financim të një mashtruesi. I pari i Qeverisë së Kosovës, me një nënshkrim ia ka mundësuar kreut të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, të dënuar për mashtrim të bankave, ti marrë edhe 57 mijë euro nga taksat e qytetarëve.

Me arsyetimin e organizimit të “Javëve të biznesit kosovar”, Qeveria e Kosovë ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me organizatën e Shahinit të promovojë ekonominë, e të rrit konsumimin e prodhimeve kosovare nga 29 nëntori deri më 17 shkurt në të gjitha trevat shqiptare.
Gazeta Fjala, ka siguruar këtë dokument, të mbajtur sekret nga kabineti i Haradinajt, me të cilin obligohen gjashtë ministri të Qeverisë së Kosovës ti ndajnë nga 9,500 euro secila për të mbështetur këtë aktivitet.“Qeveria e Kosovës merr obligim që përmes ministrive përkatëse… të mbështes financiarisht projektin për promovimin e prodhimeve vendore me moto: Unë konsumoj produkte vendore po ju?”.Sipas marrëveshjes Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillim Rural, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë – KIESA, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarresisë dhe Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike duhet të ndajnë nga 9,500 euro, ku secilës ministri do ti dërgohet kërkesa nga AKB bashkë me këtë memorandum.