fbpx

Mafio-olgiraket hedhin milionat e krimit ne balotazh

  31 Oct 2017

Analisti politik Ymret Reshiti vlerëson se vetë fakti që edhe balotazhi është në vazhdën e kontinuitetit të aktiviteteve të filluara për raundin e parë të zgjedhjeve, si proces i pritshëm edhe për balotazh, gara gjithsesi që do të vijë duke u ashpërsuar, veçmas tani kur bëhet fjalë për votat me çdo çmim në mes të rivalëve dysh për kryetar komunash. “Sikur në zgjedhjet nacionale, sikur në ato lokale, nuk kemi konkurrim të programeve të partive politik, por kemi ‘luftë politike’ të pakompromis për marrjen e pushtetit. Prandaj, kjo ‘ashpërsi e luftës politike’ aspak nuk korrespondon me pretendimet e partive politike, se ata po ofrojnë ofertën më të mirë qeverisëse për qytetarin sesa partia rivale”, theksoi Reshiti. Ai ka pohuar se parregullsitë, që do të vazhdojnë ta përcjellin këtë proces, gjithsesi do të jenë të natyrave nga më të ndryshme, deri te tentativat po edhe realizimi i qëllimit të blerjes së votës.

“Zgjedhjet në Kosovë tash e sa kohë i përcjellin një mori parregullsish, siç janë blerjet e votave, vjedhjet e votave, kushtëzimet, mospastrimi i listave të votuesve, shantazhi dhe një mori manipulimesh të tjera. Garat elektorale në raundin e balotazhit paraqesin ” ajsbergun”e luftës së pistë politike në mes partive rivale, ku nuk kursehet asgjë në shërbim të qëllimit politik. Partitë politike në garat elektorale të raundit të balotazhit rrisin koston milionëshe të shpenzimit të parave , edhe pse burimi i tyre i financimit nuk zbulohet kurrë. Zakonisht, janë milionat e oligarkisë kriminale ato që shpenzojnë partitë politike në fushata zgjedhore në këmbim të favoreve për oligarkët. Partitë politike shpenzojnë miliona euro për të “manipuluar” mendjet e qytetarëve të Kosovës, në vend se ata miliona të shpërndahen për nevojat e qytetarëve”, tha Reshiti për “Kosova Sot”.