LVV I “SAKATON” PARTITË E TJERA
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqyrtuar ankesat kundër subjekteve politike që po marrin pjesë në fushatën për zgjedhjet e 22 tetorit. Më së shumti ankesa janë ushtruar nga Lëvizja Vetëvendosje në drejtim të partive të tjera.
PZAP ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje në Klinë me 500 euro, pas ankesës së LDK-së ku më 5 tetor zyrtarët e tyre kishin fotografuar posterë të kandidatit për anëtarë të Kuvendit Komunal të Klinës nga radhët e subjektit politik LVV të vendosur në shtylla elektrike përgjatë magjistrales Klinë-Gjakovë, saktësisht në rrugën prej Gremnikut deri te rruga e Volljakut.
Nga ana tjetër, PZAP ka refuzuar ankesës e LDK-së kundër Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë. LDK është ankuar se më 5 tetor zyrtarët e tyre kanë vërejtur dhe fotografuar vendosjen e posterëve elektoral të kandidatëve të Vetëvendosjes (LVV) për Kuvendin Komunal të Pejës, Sali Lukaj dhe Avdi Shkreli të vendosura në shtylla elektrike përgjatë rrugës “Mbretëresha Teutë”. Nga ana e saj, Vetëvendosje ka arsyetuar se vendosja e posterëve është bërë nga kompania e cila ka marrë leje përkatëse nga Komuna e Pejës.
PZAP e ka pranuar ankesës e PDK-së ndaj Alternativës në Mitrovicë dhe e ka gjobitur këtë të fundit me 600 euro. PDK pretendon se me 2 tetor në rrugën Shemsi Ahmeti dhe në disa rrugë të tjera të qytetit të Mitrovicës, aktivistët e subjektit politik Alternativa kanë vendosur pllakata të kandidatit për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Mehmet Mehmeti.
LVV-së i “kushton shtrenjt” kiosku në shesh
Nga ana tjetër është pranuar ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje kundër subjektit politik Lidhja Demokratike e Kosovës në Dragash, pasi më 2 tetor në rrugët Ymer Prizreni dhe Kodra e Llollajve, në shtyllat elektrike dhe në trafostacion është vendosur posteri i kandidatit për anëtar të Kuvendit Komunal në Dragash Ezgjan Emini. Për këtë ankesë, LDK është gjobitur me 1850 euro.
PZAP e ka pranuar si të bazuar edhe ankesën tjetër të LVV-së kudnër LDK-së në Ferizaj dhe për këtë e ka gjobitur me 1800 euro të tjera. Sipas ankesës, me 3 tetor në fshatin Sovejë të Ferizajt kanë vendosur posterin e kandidatit për anëtar të kuvendit komunal të Ferizajt nga LDK. Kjo e fundit ka mohuar vendosjen e posterit, me arsyetimin se po të bënin një gjë të tillë, do të vendosnin më shumë se në një shtyllë elektrike.
Edhe ankesa tjetër e LVV-së në Ferizaj kundër LDK-së është pranuar nga PZAP-ja për çka është gjobitur me 1750 euro. LVV pretendon në ankesë se më 3 tetor aktivistët e tyre kanë vërejtur se në fshatin Sojevë të Komunës së Ferizajt mbi rrugë publike është vendosur baneri i kandidatit për anëtar të Komunës së Ferizajt nga radhët e LDK-së.
E LDK duket se i është hakmerr LVV-së në Prishtinë, duke ushtruar ankesë për vendosjen e objektit-kioskë në sheshin Nënë Tereza, për çka PZAK e ka gjobitur Vetëvendosjen me 5100 euro.
LVV ka ushtruar ankesë edhe ndaj subjektit tjetër rival PDK-së në Prishtinë, të cilës i është shqiptuar gjobë në vlerë 800 euro, pasi në hyrje të Makovcit të Komunës së Prishtinës, në shtylla elektrike është vendosur posteri i kandidatit për anëtarë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Alban Krasniqi nga radhët e PDK-së.
Refuzohen ankesat e Alternativës së Kusari Lilës në Gjakovë
PZAP ndërkaq ka refuzar ankesën e BIRN dhe Internews Kosova kundër Partisë Demokratike Turke të Kosovës, ku pretendohet se janë vënë posterë në afërsi të shkollës në lagjen Kurilla në Prizren.
Është refuzuar edhe ankesa e subjektit Alternativa kundër PDK-së në Gjakovë ku pretendohet se janë vendosur posterët e kandidatit Ramadan Hoti në shtylla elektrike. PDK ka arsyetuar se posedojnë leje për vendosjen e posterëve.
Edhe ankesa tjetër e Alternativës në Gjakovë kundër LVV-së në Gjakovë me të cilën pretendon se kanë marrë pëlqim nga ana e Komunës për vendosjen e panos reklamuese në objektin banesor ish Bagati fasada veriore, ku është vendosur panoja reklamuese nga ana e subjektit politik Vetëvendosje.
Po ashtu është refuzuar ankesa e Alternativës kundër AAK-së në Gjakovë, ku pretendohet se më 2 tetor janë vendosur pllakata dhe poster në shtylla të ndriçimit dhe mbi rrugë publike. AAK ka arsyetua se vendosja e tyre është bërë nga agjencia e marketingut e kontraktuar për këtë punë.
PZAP ka refuzuar edhe ankesën e AKR-së në Mitrovicë kundër PDK-së, ku pretendon se më 2 tetor në sheshin Adem Jashari, subjekti politik PDK ka vendosur pano reklamuese të kryetarit dhe anëtarëve të Kuvendit Komunal. PDK ka arsyetuar dhe nuk ka shkelur Ligjin Zgjedhor, pasi në kohë fushate nuk kërkohet leje për vendosjen e panove.
PZAP e ka pranuar ankesën eLVV-së kundër LDK-së në Ferizaj, pasi më 2 tetor në sheshin Hyrë Emini në Ferizaj, në hapësirë publike është vendosur kandidati për anëtarë të Kuvendit Komunal të Ferizajt nga radhët e subjektit politik LDK dhe për këtë është gjobitur me 1700 euro.
PDK ankohet se Visar Ymeri e krahasoi Veselin me Veselinoviqin, PZAP nuk e miraton ankesën
Nga ana tjetër është refuzuar ankesa e PDK-së e cila ka kërkuar që të merren masa ligjore ndaj LVV-së në Prishtinë për shkak të nxitjes së urrejtjes gjatë fushatës zgjedhore. PDK është ankuar se më 28 shtator në mbrëmje në Qendrën e Kulturës Rexhep Mitrovica në tubimin elektoral të Partisë LVV, kryetari kësaj partie Visar Ymeri në fjalimin e tij ka vepruar në kundërshtimin me ligjin. Pretenduesi i ankesës në vazhdim ka theksuar se i njëjti në fjalimin e tij në gjuhën e përdorur e ka krahasuar kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, me një person të quajtur Zharko Veselinoviq, i cili tek qytetarët e Mitrovicës njihet si person me procedurë penale. PZAP ka hedhur poshtë pretendimet duke konstatuar se nuk bëhet fjalë për nxitje të urrejtjes gjatë fushatës.