Lufte e mbrendshme ne LDK!
Nënkryetari i LDK-së shpërfill urdhrat e kryetarit Mustafa
Kryetari që është duke synuar edhe për një mandat të dytë për Komunën e Podujevës, Agim Veliu, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk është duke iu bindur urdhrave të liderit të partisë së tij.
Një foto të cilën e ka siguruar Gazeta Online Insajderi, postieri i Agim Veliut shihet i vendosur në një objekt në qytetin e Podujevës.
Ky veprim i Veliut, është në kundërshtim me rregullat të cilat i ka vendosur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa kishte shkruar se do të dënohen ata kandidatë të cilët vendosin postierë gjatë fushatës.
“LDK do të publikojë emrat e atyre që nuk respektojnë heqjen dorë nga posterët, që dëmtojnë ambientin dhe buxhetin e partisë. Do të kërkojmë që dënimet t’i paguajnë ata që thyejnë rregullat dhe se nuk do të kërkojmë votë për ata/ato nga qytetarët dhe anëtarësia e LDK-së”, kishte shkruar Mustafa.
Këtë rregull nuk e kishte respektuar as kandidati për kryetar të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Një poster i Gazmend Muhaxherit i vendosur në objektin e Komunës së Pejës, i ka kushtuar me gjobë prej 700.00 (shtatëqind) eurove Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Kjo pasi, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka shqiptuar gjobë sot LDK-së për posterin e kandidatit të saj në Pejë, në kundërshtim me Ligjin Për Zgjedhje.