Lladrovci: “Fjalët e hallkut dhe birat e gardhit nuk mshelen kurrë”

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili është sërish kandidat për kryetar në zgjedhjet që do të mbahen më 22 tetor, thotë se gjatë këtyre muajve sa e ka udhëhequr Drenasin, ka dëshmuar se e meriton ta udhëheq sërish këtë komunë, pasi që ka bërë punë të mëdha.

Ai në një intervistë për KosovaPress, thotë se për nominimin e tij për kryetar komune, ka vendosur kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Ndërsa thotë se për këta muaj sa ka qeverisur me Drenasin, jo që i ka përmbushur të gjitha premtimet, por dhe i ka tejkaluar ato.

“Arsye pse duhet të më votojnë dhe njëherë qytetarët e komunës së Drenasit, është sepse për tetë muaj rresht, kam punuar ditë e natë për qytetarët e Drenasit. Të gjitha projektet që i ka votuar Asambleja e komunës së Drenasit në shtatorin e vitit 2016, për projektet e 2017-tës, unë i kam përfunduar”, tha Lladrovci.

Edhe pse kishte premtuar se të gjithë ata zyrtarë të komunës, të cilët nuk vijnë me kohë në punë do të largohen, Lladrovci thotë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi që të gjithë kanë respektuar orarin e tyre të punës.

E sa i përket shkarkimit të disa drejtorëve të shkollave në komunën e Drenasit, për të cilët është raportuar, kryetari i Komunës thotë se ata nuk janë shkarkuar nga detyra, por nuk u është vazhduar kontrata, për shkak të performancës së tyre.

“Nuk do të lejojë asnjë drejtor të mbajë poste mbi tetë vjet, ose mbi dy mandate nga katër vjet. Edhe unë nuk të kërkoj më shumë se dy mandate të jem kryetar sepse ose do të jap mjaftueshëm për qytetarët për dy mandate, ose s’do të jap më kurrë”.

“Çka flitet, ‘fjalët e hallkut dhe birat e gardhit nuk mshelen kurrë’. Ju mund të hyni dhe t’i pyetni në administratë dhe ta shihni që janë shumë të lumtur me punën time dhe punën e tyre, se për atë punë paguhen ata. Mund të ketë ndonjë zyrtarë i cili nuk ka ardhur kurrë në punë, ka nejt gjithë ditën nëpër kafenetë e Drenasit. Besa e ka harxhu dhe pagën që e ka marrë pa ardh në punë dhe ai mund të mos jetë i kënaqur, por s’më bën gjë ajo punë, sepse gjithmonë ka njerëz që janë të kënaqur me mua që janë shumicë, dhe ka njerëz që nuk janë të kënaqur me mu, sepse unë po e zbatoj rendin dhe ligjin dhe po i kryej të gjitha projektet kapitale”, tha ai.

Ramiz Lladrovci vitin e kaluar kishte fituar në raundin e dytë për kryetar të Drenasit pasi që në këtë komunë ishin mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dënimit të ish-kryetarit Nexhat Demaku.