LIMAJ THOTË SE NË ZGJEDHJE GAROJNË EDHE NJERËZ QË “KANË DALË NGA PREHRI I UDB-SË”
Kreu i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, u ka bërë thirrje qytetarëve të Rahovecit që të mos mbështesin ata që sipas tij kanë dalë nga prehri i UDB-së, por t’i mbështesin ata që kanë dalë nga prehri i dëshmorëve.
“Mos i mbështetni ata që kanë dalë prej prehrit të UDB-së, mbështetni ata qe kanë dalë nga prehri i dëshmorëve. Për besë çka jemi duke parë ne nuk është mirë me qitë votën e mas gjashtë muajve mi mshua kokës. Kështu ka me ndodh, ju ka ndodhur juve Rahovecit shpesh, kishit problem me mbledh mend. Por, kujdes, kujdes me ata që vijnë këtu dhe nuk e dini si kanë ardhur deri këtu ata. Me u qu dhe me ardh në këtë sallë e me fol ata për atdheun, për patriotizmin, për Kosovën, për sakrificën para njerëzve këtu të Rahovecit që e dini mirë çka keni kaluar ju është fyerje, është ofendim me ardh këtu e me ju tregua banorëve të Rahovecit çka është patriotizmi”, tha Limaj.
I pari i Nismës u shpreh i bindur se Rahovecit i kanë ofruar një kandidat të mirë, ku ai tha se Besnik Hoti nuk është kandidat vetëm për Rahovecin, por për gjithë Kosovën.
Limaj u premtoj qytetarëve të Rahovecit se frytet e premtimeve të tij do ti shohin në qershor, ku ai tha nuk do të hë spec nga jashtë pa u harxhuar këta të Rahovecit një herë.
Ndërsa, kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit, Besnik Hoti, tha se në momentin që e ka pranuar kandidaturën për kryetar ka marrë përgjegjësinë të jetë zëri i qytetarëve të Rahovecit dhe të jetë mundësia që Rahoveci të mos konsiderohet më peng i politikave të së shkuarës.
Hoti tha se Rahoveci konsiderohet një nga komunat më të çmuara për Kosovën, baza kryesore e furnizimit bujqësor, por që nuk është bërë shumë për këtë komune. Ai premtoi se me të marrë mandatin problemet në bujqësi, infrastrukturë, përkujdesje sociale do të zgjidhen.