fbpx

Lëkundet koalicioni qeverisës , kjo është arsyeja !

  30 Nov 2017

Partnerët kryesorë të koalicionit qeverisës, PDK dhe AAK, kanë shpërputhje qëndrimesh lidhur me çështjen e Demarkacionit.

‘Çarja’ e radhës u vërejt pas deklaratave të zëvendëskryeministrit që vjen nga PDK’ja, Enver Hoxhaj, i cili tha dje në Amerikë se demarkacioni është temë e shpikur dhe shtoi se marrëveshja do të ratifikohet, shkruan gazetametro.net.

Por për këto deklarata heshtë Zyra e Kryeministrit Haradinaj. Metro i është drejtuar zyrës së tij dhe ka kërkuar një qëndrim rreth deklaratave të partnerit të koalicioni, por nuk e kanë bërë këtë.

Qeveria është mjaftuar me një përgjigje të zakonshme rreth kësaj çështje, duke përsëritur se po pritet raporti i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit.

‘Raporti i Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror është në fazën përmbyllëse dhe ai pritet t’i paraqitet kryeministrit brenda ditëve’, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Ndërkaq, zyra e Haradinajt ka hezituar të jap një datë se kur do të zgjidhjet demarkacioni. Ata kanë thënë se kjo gjë do të kryhet sipas standardeve evropiane për të siguruar epilog të pranueshëm, shkruan gazetametro.net.

‘Nuk po flasim për afatet kohore kur raporti do të gjendet së bashku me marrëveshjen aktuale në Kuvendin e Kosovës. Një gjë është e qartë se marrëveshja si e tillë nuk e ka shumicën dhe rrjedhimisht çështja do të mbetet e hapur. Për çështjen e demarkacionit do të ndiqen standardet dhe praktikat e avancuara ndërkombëtare për të siguruar një epilog profesional dhe politikisht të pranueshëm për vendin’, thuhet më tej në përgjigjen e Qeverisë për Metron.

Ndryshe, zëvendësi i Haradinajt, Enver Hoxhaj, dje në Amerikë dha një qëndrim të partisë së tij, e që bie në kundërshtim me fjalët e shefit të Qeverisë. Hoxhaj tha se demarkacioni është bërë një temë e shpikur, dhe sipas tij, përpos ratifikimit nuk ka asnjë zgjidhje tjetër.