Burime të Gazetës Express kanë mësuar se legjenda e futbollit gjerman, Lothar Matthäus, do të emërohet trajner i ri i Kosovës.
Portali e ka siguruar një fotografi të Matthaus me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, e shkrepur mbrëmë në gala mbrëmjen e ndarjes së çmimeve për më të mirët nga FIFA në Londër.
Federata e Futbollit të Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së Gazetës Express për koment.
Matthaus e udhëhoqi si kapiten Gjermaninë Perëndimore drejt triumfit në Kupën e Botës në vitin 1990, dhe u shpall lojtari i vitit në Evropë po atë vit. Në vitin 1991, ai u bë lojtar i parë ndonjëherë që fiton çmimin lojtari i vitit i FIFA-s.
Si lojtar, ai ka luajtur për ekipe të mëdha evropiane si Bayern Munich dhe Inter.
Ndërsa si trajner, ai ka drejtuar ekipe kombëtare si Hungaria (2004-06) dhe Bullgaria (2010-11). Ai i ka drejtuar edhe skuadrat si Rapi Wien, Partizan Belgrade, Red Bull Salzburg e të tjera.