fbpx

LDK mbështetë në heshtje PDK’në në Prizren dhe Rahovec, merr mbështetje në Prishtinë dhe Gjilan

  04 Nov 2017

LDK pas daljes si partia më e votuar në zgjedhjet e 22 tetorit, po punon për ta kapitalizuar këtë edhe në balotazhin e 19 nëntorit. Kthimi i Prishtinës, mbajtja e Gjilanit dhe Podujevës janë synimi kryesor i partisë së Isa Mustafës në balotazh.

Dega e LDK’së në Prizren, që i ka humbur dy palë zgjedhjet e fundit atje, ka vrapuar që të pretendojë pushtetin duke tentuar të bëjë koalicion me Vetëvendosjen, pa u konsultuar fare me partinë në qendër. Dhe kjo ka bërë që qendra të reagojë kundër këtij koalicioni, pasi ai do ta dëmtonte LDK’në aty ku e ka interesin kryesor, në Prishtinë, Gjilan e Podujevë, komuna që pretendon t’i fitojë më 19 nëntor. Në këto komuna asaj i duhet mbështetja e elektoratit të PDK’së, pasi që në të tria, LDK është në balotazh me Vetëvendosjen, shkruan gazetametro.net.

Në këtë frymë, përveç qendrës, reagime kundër koalicionit LDK-VV në Prizren, ka edhe nga anëtarë të kryesisë së kësaj partie që vijnë nga kjo komunë.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Afërdita Morina-Biffar, në një deklaratë për mediat lokale në Prizren, ka thënë se kjo degë duhet të mblidhet dhe të analizojë humbjen, dhe jo të vrapojë pas të tjerëve, duke nënkuptuar këtu, koalicionin e pretenduar lokal LDK-VV.

“Kërkoj publikisht që në vend se të vrapojmë pas të tjerëve, duhet të thirrim mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së Degës, anëtare e së cilës jam dhe unë, Shtabin Zgjedhor dhe kryetarët e nëndegëve për të analizuar rezultatin zgjedhor”.

Ngjashëm, është vepruar edhe në Rahovec, ku kryetar dege është ish-kandidati i LDK’së për kryeministër, Avdullah Hoti.

Kjo degë publikisht ka kërkuar që të mos përkrahet asnjëri nga kandidatët që janë në balotazh, Smajl Latifi i AAK’së dhe Idriz Vehapi i PDK’së.

“Kryesia e Degës së LDK-së në Rahovec ka vendosur të mos përkrah asnjërin kandidat në balotazh. Ky vendim u morë unanimisht në dy takime, me kryetarët e nëndegëve dhe me kryesinë e degës”, thuhet në një komunikatë të kësaj dege, të shpërndarë edhe nga vet kryetari Hoti.

Megjithatë, duhet pasur parasysh, se vullneti i kësaj dege, ka qenë që të mbështesë kandidatin e PDK’së, parti me të cilën kanë qenë në koalicion mandatin e kaluar në këtë komunë. Burime të gazetametro.net, bëjnë të ditur se LDK do ta mbështesë Idriz Vehapin, por pa bërë koalicion zyrtar.

E gjithë kjo manovër politike, tregon për një marrëveshje të heshtur në mes të LDK’së dhe PDK’së, që të mbështesin njëra – tjetrën, në komunat ku në balotazh, kanë kundërkandidatë nga partitë tjera. Pra, PDK të marrë mbështetjen e LDK’së në Prizren dhe Rahovec, ndërsa LDK mbështetjen e PDK’së në Prishtinë, Gjilan e Podujevë.