LDK e humbi edhe “Jerusalemin” e saj!

  23 Nov 2017

Para pak ditësh kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa e kishte zbuluar “Jerusalemin” e LDK-së.

Gjatë një tubimi elektoral në Istog, në mbështetje të kandidatit Haki Rugova, kishte theksuar se Istogu është Jersualemi i LDK-së.

Por, duket se ky epitet i vendlindjes së themeluesit të LDK-së, Ibrahim Rugovës, nuk zgjati edhe shumë.

Para pak çastesh, votat me kusht e kanë përmbysur rezultatin në ketë komunë. Nuk do të jetë më LDK na krye të kësaj komune pas me shume se 17 vjetësh.

Bastionin e LDK-së arriti që ta thyej Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me kandidatin e saj, Gani Dreshaj. Megjithëse votat me postë e nxjerrim fitues, LDK nuk po mund të pajtohet me këtë fakt.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidati Haki Rugova po paralajmërojnë mosnjohje të rezultatit.

“Haki Rugova është Kryetar i Istogut. Kemi argument të mjaftueshme për keqpërdorime që janë bërë me votat me postë për Istogun. Kanë votuar njerëzit e vdekur, i kemi fotot e varrezave të tyre, vëzhguesit kanë vërtetuar pliko të njëjta për të gjitha postimet, printer të njëjtë dhe letër të njëjtë. Janë falsifikuar identitetet e votuesve. Këto fakte do t’ia ofrojmë PZAP-it dhe Prokurorisë së shtetit. Prandaj mos u mashtroni se ka fituar Gani Dreshaj”, ka thënë Mustafa.

Në anën tjetër Rugova, akuzon se kundërkandidati i tij nga radhët e AAK-së, Gani Dreshaj, ka angazhuar njerëz për manipulimin e votave me postë të cilat bën përmbysje të rezultatit zgjedhor në këtë komunë në favor të Dreshajt.

“Është manipulim i votave tërsisht. Pyete kundërkandidatin edhe anëtarët e partisë së tij se nga i kanë siguruar votat ata. Me këtë rast do të merren organet e drejtësisë dhe PZAP. Procesi është tërsisht i manipuluar”, ka thënë Rugova për “Gazeta Blic”

Ai tutje ka thënë se si të tillë nuk do ta pranojnë asnjëherë këtë rezutlat. “Rezultati është i papranueshëm për mua dhe partinë time dhe asnjëherë nuk do ta pranojmë këtë rezutlat”, ka deklaruar ai.

Ishte ish- kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ai i cili e kishte quajtur Prizrenin si Jerusalemi i PDK-së. Mirëpo, në këto zgjedhje PDK është në prag të humbjes së kësaj komune.

Kandidati i VV-së, Mytaher Haskuka po prin ndaj kandidatit të PDK-së, Shaqir Totaj. Pas rinumërimit të votave, pritet që të dihet fituesi i “Jerusalemit” të PDK-së./