fbpx
LAJMI I FUNDIT: Kurti thotë se me 13 maj do të arrihen disa marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, ja për çka bëhet fjalë

LAJMI I FUNDIT: Kurti thotë se me 13 maj do të arrihen disa marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, ja për çka bëhet fjalë

  07 May 2022

Vizita zyrtare në Gjermani ku u prit nga homologu Olaf Scholz dhe darka joformale që pasoi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq e emisarin evropian për dialogun Miroslav Lajçak i ka rritur pritjet te Albin Kurti.

Kryeministri shpreson se, të premten që vjen në Bruksel, Kosova e Serbia do të arrijnë ujdi për disa çështje.

Atë ditë Miroslav Lajçak ka ftuar kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq për rreth të ri bisedimesh.

“Më 13 maj unë shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet për zgjidhje reciproke për targat, edhe për çështjen e mospagesës së energjisë në veri të Kosovës, e po ashtu edhe për nevojën për të përshpejtuar çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturave, të të zhdukurve me dhunë”.

Kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se më 13 maj pret që mbase të ketë marrëveshje për diçka, pa specifikuar asgjë.

Albert Krasniqi nga Demokraci Plus thotë se lufta në Ukrainë është bërë motiv shtesë që fuqitë botërore – Gjermania, Franca dhe ShBA-ja – t’i shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt një ujdie finale.

Palët kanë qëndrime të kundërta për rezultatin përfundimtar të bisedimeve. Kosova dhe disa shtete aleate presin që procesi të kryhet me njohje të ndërsjellë derisa Serbia po lyp zgjidhje kompromisi.

Ndërkohë, Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Karen Donfried, që para dy javësh ishte për vizitë në Prishtinë dhe Beograd i ka thënë gazetës serbe “Politika” se liderët e atjeshëm janë gati të përfshihen në dialog që është i fokusuar në njohje.