fbpx

LAJMI I FUNDIT: Ja kush do të jetë lideri i ri i Vetëvendosjes

  13 Dec 2017

Lëvizja Vetëvendosje brenda pak ditësh do të marrë drejtimin e saj: Të ruaj unitetin ose të ndahet përfundimisht.

Gazeta Blic nga burime të saja brenda LVV-së ka marrë vesh se nëse Albin Kurti tërhiqet nga kandidimi për kryetar të VV-së, ashtu sic po kërkojnë një pjesë e deputetëve të kësaj partie, atëherë pritet që Lëvizja Vetëvendosje ta ruaj unitetin.

Nëse ndodh kjo, atëherë pritet që në krye të VV-së të vij një emër, fare pak i përmendur në media dhe pak i pritur.

“Nëse Albin Kurti tërhiqet nga kandidimi, që është edhe kushti i një pjese të deputetëve , e të cilin e kishte kërkuar Dardan Molliqaj në mbledhjen e fundit të Kryesisë së kësaj partie, atëherë do të shpëtoj VV nga thyerja, dhe kryetar i kësaj partie do të zgjedhet Glauk Kojufca”, kanë theksuar burime të Gazetës Blic brenda VV-së.

Këto burime bëjnë me dije, se Konjufca do të vijë në krye të LVV-së sipas të gjitha gjasave, për shkak të kompromiseve që do të detyrohen të pranojnë të dy grupet, tashmë të krijuara në këtë parti.

“Glauk Konjufca shihet si personi më i pranuar nga të dy krahët në VV”, thotë ky burim.

Gjithnjë sipas këtij burimi, nëse Albin Kurti nuk e përfill kërkesën e shtruar nga Dardan Molliqaj në mbledhjen e fundit, i cili ka një mbështetje të madhe të shumë deputetëve dhe disa anëtarëve të VV-së, atëherë kjo parti përfundimisht do të ndahet.

Zyrtarisht nga VV nuk kanë dashur të flasin se kush mund të vijë në krye të kësaj partie, e as për atë nëse kjo parti është në prag të ndarjes.

Ndërkaq, dje në një deklaratë të shkurtër për Gazeta Blic, deputeti Dukagjin Gorani i ka thënë se nuk ka dëgjuar në mbledhjen e Kryesisë për ndonjë kërkesë të tillë nga Dardan Molliqaj, që Albin Kurti most ë kandidoj për kryetar të VV-së.

“Nuk jam i interesuar dhe nuk dua të komentoj asgjë. Absolutisht jo dhe unë nuk e di që ka pasur kërkesë. Në media tash po raportojnë gjithçka e ne nuk po mundemi secilin medium që mos me raportu të pa vërteta, kështu që ne nuk kemi çka t’i bëjmë”, ka deklaruar Gorani, raporton Gazeta Blic.

Ndryshe, pas mbledhjes së Kryesisë së VV-së e cila u mbajt ditën e hënë, e thirrur për shkak të daljes në media të një komunikimi të brendshëm të deputetëve të VV-së, ku Aida Dërguti i drejtohet Albin Kurtit me fjalën “Mut”, u tha se ka unitet në këtë parti.

Ishte i pari i VV-së, Visar Ymeri ai i cili tha para gazetarëve se VV-ja është unike, dhe se sipas tij, nuk ka asnjë dorëheqje në VV, përpos të asaj të deputetes Aida Dërguti.

Deputetja më e votuar femër në VV, kishte dhënë dorëheqje nga pozitat e rëndësishme në parti.

Ajo përpos që dha dorëheqje nga Kryesia e Partisë dha dorëheqje edhe nga kryetarja e Degës së VV-së në Vushtrri.

Ajo në letrën e saj të dorëheqjes ndër të tjera ka thënë se në këtë parti tash e sa kohë ka mos përputhje dhe pakënaqësi.

Letra e plote:

I nderuar kryetar Visar Ymeri,

Të dashur aktivistë të Lëvizjes,

Për 12 vjet rresht, këtë Lëvizje e kemi ndërtuar bashkë. Kam bindjen e plotë se bashkë duhet t’i tejkalojmë edhe problemet e fundit. Kjo është e mundur dhe bëhet me vullnetin e kontributin e të gjithëve.

Sigurisht se përgjatë punës e aktiviteteve të përbashkëta ne kemi krijuar shoqëri të vërtetë e marrëdhënie të shëndoshë me njëri-tjetrin. Kjo e ka përmbushur secilin prej nesh edhe personalisht.

Por, mbi të gjitha, Lëvizja ekziston për shkak të qëllimeve që ia kemi vënë vetes. Përballë këtyre qëllimeve, secili prej nesh duhet ta tejkalojë veten. Prandaj, unë sot kam dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetares së Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Vushtrri dhe nga anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes.

Unë e di që shprehja ime ka nxitur reagime e shqetësime për natyrën e problemeve në Lëvizje. Por, shprehja ime (e papranueshme gijthsesi) duhet vënë përballë një fushate sistematike të shpifjeve, linçimeve e etiketimeve që ka ndodhur tash 1 vit.

Po, brenda nesh ka dallime. Ky problem që në dukje të parë duket si inati personal, në fakt është dallim politik dhe ideologjik. Jo dallim karshi qëllimeve të shprehura në Program, por sidomos dallim karshi metodës. E dallimi në metodë është dallim politik pastaj. Nuk mund të arrish përmes rrugëve e metodave të ndryshme tek qëllimi i njëjtë. Metoda e fisnikëron ose e korrupton qëllimin. Ta zemë, probleme të patejkalueshme për mua janë sulmet e organizuara linçuese, dhe instrumentalizimi i njerëzve. Asnjë qëllim madhor nuk e arsyeton instrumentalizimin.

 

Unë besoj se e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve të Lëvizjes është diskutimi i hapur e me argumente, në vend të instalimit të frikës. Por, gatishmëri për zgjidhjen e problemeve unë ende nuk po shoh. E vetmja rruga është demokracia, VETËVENDOSJE! vetëm demokratike mund të jetë.