Lajm i hidhur për vizat

Lajm i hidhur për vizat

  29 Apr 2019

Skenari më pozitiv është që vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën të merret gjatë këtij viti, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që ky proces të shtyhet deri në fund të vitit 2019.

Liberalizimi i vizave për Kosovën rrezikon të mos ndodhë deri në pjesën e dytë të vitit 2019, megjithëse pritjet janë që vendimi të merret brenda këtij viti. Ditë më parë presidenti Hashim Thaçi ka thënë se liberalizimi mund të mos ndodhë deri në vitin 2020 nëse pushteti dhe opozita nuk argumentojnë para vendeve të Bashkimit Evropian se janë plotësuar kriteret për liberalizim. Megjithatë opozitarët dhe njohësit e integrimeve evropiane thonë se tani vendimi për heqjen e vizave varet nga vullneti i shteteve anëtare të BE-së, ndërsa nuk e përjashtojnë mundësinë që heqja e regjimit të vizave për kosovarët të mos ndodhë deri pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, respektivisht deri në fund të vitit 2019.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë për gazetën “Zëri” se opozita në Kosovë luan një rol të rëndësishëm në proceset integruese, megjithatë në takimin me Grupin COWEB deputetët e Vetëvendosjes kanë qenë destruktivë duke mos i pranuar të arriturat e Kosovës.

“Opozita duhet të jetë konstruktive sidomos kur bëhet fjalë për interesin e qytetarit. Askush nuk mund të lirohet nga përgjegjësia që ka, deputetët e opozitës janë votuar dhe përfaqësojnë qytetarët e vendit. Fatkeqësisht deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë destruktivë në takimin e fundit me COWEB-in duke mos i njohur reformat e bëra, gjë që mund të ndikojë negativisht në procesin e liberalizimit të vizave”, ka deklaruar Hoxha.

Në MediaKosova.com, ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun e faqes me Google Analytics. Duke klikuar "Prano", ju pranoni përdorimin e cookies dhe Google Analytics sipas përshkrimit në Politikën tonë të Privatësisë.