Ky është veprimi i Vetëvendosjes, pas vendimit të PZAP-it për rinumërim të votave në Prishtinë e Prizren

  23 Nov 2017

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i quajti të papranueshme, të jashtëligjshme dhe të dëmshme vendimet e PZAP-it që komunat e Prishtinës dhe Prizrenit të shkojnë në rinumërim, njofton Klan Kosova.

Ai madje njoftoi se Lëvizja Vetëvendosje po përgatit një aktpadi karshi panelit të gjyqtarëve të PZAP-it.

“Këto vendime të sotme natyrisht se i shpallin luftë demokracisë”, tha Ymeri në një konferencë për media të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ymeri akuzoi se po tentohet grushtet ndaj qytetarëve të Kosovës, dhe se po tentohet të anulohet vota e lirë e qytetarit.

“Nuk do të ketë qetësi në Republikën e Kosovës deri sa të etablohen përfundimisht demokracia dhe drejtësia”.

Ai u bëri thirrje vëzhguesve ndërkombëtare, veçmas atyre që i kanë monitoruar zgjedhjet që të reagojnë kundër asaj që ai e quajti dhunim të demokracisë dhe tentim të grushtetit nga një grup i vogël njerëzisht kundër vullnetit të shumicës së qytetarëve.

“Ky vendim i PZAP është i kundërshtueshëm dhe i jashtëligjshëm edhe me përmbajtjen që e ka, por edhe i kontestueshëm edhe me përbërjen e panelit të PZAP”.

Ymeri tha se po e përgatit aktpadinë karshi panelit të gjykatësve me kallëzime penale në mënyrë që të trajtohen edhe këta nga gjyqësori.