Togeri i Policisë së Kosovës, Saim Januzi në vitin 2015 ishte suspenduar për një sulm ndaj fotoreporterëve të disa gazetave në vend.
Madje akuzohej edhe për marrje me prostitucion dhe vjedhjen e 1.3 milionë eurove në Barcelonë.
Përkundër këtyre akuzave ndaj një polici, ai në seancën e 17 nëntorit të këtij viti, ku u shpall aktgjykimi ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, është parë i pranishëm në sallë.
I veshur në uniformë policore, shihej se si e mbante rendin aty. Madje ishte ai që largoi me dhunë familjarët e aktivistëve të cilët reaguan ashpër pas vendimit të gjykatës për t’i dënuar, raporton Periskopi.
Saim Januzi në vitin 2016 ishte arrestuar si i dyshuar për trafikim me njerëz dhe prostitucion. Në atë kohë ishte raportuar se bëhet fjalë për të njëjtin person i cili në vitin 2015 keqtrajtoi fotoreporteret e “Kohës Ditore” dhe portalit “Indeksonline”, gjatë kohës sa ata ishin duke fotografuar në një ndeshje sportive.
Më saktësisht ngjarja kishte ndodhur në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë ku këta fotoreporter ishin penguar gjatë punës së tyre.
Portali Infokusi kishte shkruar se po i njëjti pjesëtar i Policisë së Kosovës, ishte i dyshuar për një vjedhje milionëshe në një hotel në Barcelonë, e cila kishte ndodhur në korrik të vitit 2009-të, ku dyshohet se bashkë me 5 persona të tjerë kishin vjedhur stoli ari në vlerë prej 1.3 milion eurosh.
Ndryshe, Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media kishte treguar se togeri Saim Januzi i Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, ishte suspenduar nga detyra për dyzet e tetë (48 orë), me vendim të Drejtorit Rajonal të Policisë së Kosovës në Mitrovicë./Periskopi/